Ikona e futbollit italian Roberto Baggio dhe familja e tij mbetën viktima të një grabitjeje të dhunshme mbrëmjen e së enjtes, teksa po ndiqnin ndeshjen Itali-Spanjë të vlefshme për kampionatin europian të futbollit që po luhej në Gjermani.
40 minuta frike
Makthi për 57 vjeçarin filloi rreth orës 22:00, kur një bandë prej gjashtë personash, të gjithë të armatosur, hynë në vilën e futbollistit në Altavilla Vicentina. Do të ketë qenë një grup profesionistësh duke pasur parasysh mënyrat në të cilat vepronin: grabitja mund të ishte studiuar deri në detajet më të vogla dhe zgjedhja për të shkuar në veprim gjatë ndeshjes së Azzurrit nuk do të ishte e rastësishme. Alarmi dhe sistemet e sigurisë së shtëpisë në momentin e grabitjes ishin çaktivizuar duke qenë se Baggio dhe familja ishin brenda shtëpisë në fermë përballë televizorit: sipas të gjitha gjasave disa dyer dhe dritare ishin të hapura duke pasur parasysh mbrëmjen shumë të nxehtë, pasi nuk u gjetën shenja të ndonjë dere të shkatërruar. Sipas burimeve hetimore, kriminelët kishin theks të huaj. E gjithë prona është shumë e madhe, ka një gardh rrethues, por është larg qendrave të banuara.
Përleshja e dhunshme
Sapo grabitësit kanë hyrë në shtëpi, “Bishti Hyjnor” ka tentuar të përballet me njërin prej tyre: pas një përleshjeje shumë të shkurtër, grabitësi e ka goditur me qytën e armës në ballë, duke i shkaktuar një plagë të thellë, më pas ai dhe anëtarët e familjes u mbyllen në një dhomë. Ndërkohë, kriminelët përmbysën çdo dhomë, duke vjedhur orë, bizhuteri dhe para. Nuk është ende e mundur të përcaktohet sasia e gjërave të vjedhura. Kur futbollisti kuptoi se grabitësit ishin larguar, ka thyer derën dhe ka lajmëruar policinë.
Kampioni i futbollit u dërgua në urgjencën në Arzignano, ku u trajtua me disa qepje në ballë. Për anëtarët e tjerë të familjes ishte vetëm shumë frikë, por askush nuk u lëndua. Baggio është i martuar me gruan e tij Andreina për 34 vjet dhe çifti ka tre fëmijë: Valentina, Mattia dhe Leonardo.