Deklarata e djeshme e ish-presidentit të Republikës Ilir Meta, i cili njoftoi zyrtarisht se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja Monika Kryemadhi, bëri bujë në të gjitha mediat.
Ndarja e tyre vjen pas 26 vitesh martesë dhe tre fëmijëve, ndërsa të dy kanë ndjekur për shumë vite edhe një bashkëjetesë politike.
E pyetur nga Zëri i Amerikës për deklaratën e Metës, Kryemadhi ka thënë se nuk preferon për momentin të komentojë vendimin e bashkëshortit të saj dhe se më parë donte të mësonte arsyet që e kishin çuar zotin Meta në kërkesën për divorc, të depozituar të enjten në Gjykatën e Tiranës. Kryemadhi është shprehur se për të familja është e shtrenjtë.
Në mbrëmje, gjatë emisionit “Çim Peka live” në Syri.Tv, ish-presidenti Meta, tha se Kryemadhi “është tanimë ish-bashkëshortja”, dhe se vendimin ai ia kishte komunikuar djalit të tyre Besar Meta, 24 vjeçar, i cili sipas tij, disa herë i kishte kërkuar që të dy prindërit të gjenin “një zgjidhje të qetë, përsa kohë keni shumë tensione dhe probleme. Mendoj se kam gjetur një zgjidhje shumë të qetë”, u shpreh zoti Meta.
