GJKKO e Apelit ka rrëzuar sot kërkesën e biznesmenit Valter Begaj për heqjen e sekuestros ndaj kompanisë “DAMM shpk”.
Vendimi u mor sot nga togat e zeza ndërkohë që shkalla e parë pritet të shqyrtojë një tjetër kërkesë të Begajt, atë të zbutjes së masës së sigurisë, por seanca u shty në një datë tjetër për shkak se mungonte prokurori.
Begaj kërkon zbutjen e masës nga “arrest me burg” në një masë më të lehtë sigurie.
Pak ditë më parë, trupa gjykuese në shkallë të parë liroi nga qelia Ervis Lamin, bashkëpunëtorin e Begajt, të cilët u vendosën në pranga së bashku me Evis Berberin, ish drejtorin e ARRSH në muajin mars të këtij viti.
Lami u la në masën “arrest në shtëpi”, ndërkohë që Berberi dhe Begaj vijojnë të qëndrojnë në qeli, si persona të dyshuar se kanë kryer veprën e korrupsionit dhe atë të pastrimit të parave.
Dyshohet se Valter Begaj është personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga kreu i ARRSH-së.
Përveç aksioneve të DAAM, Begaj ishte zotërues dhe i kompanisë NET-GROUP (ish “B-VAAL ENGINEERING”), e cila rezulton që të jetë dhe kompania që ka fituar tenderat në mënyrë jo të ligjshme nga ana e Berberit.
Por si u lidh Evis Berberi me Valter Begajn dhe cila është kompania që shërbeu më tej për të kryer korrupsion dhe për të pastruar paratë?
Një kompani prestigjatore në duart e të dyve, të cilët e kishin shitur dhe rishitur disa herë, për të fshehur gjurmët e parave.
“Nga periudha shtator 2018-janar 2019, Evis Berberi ka qenë zotërues i shoqërisë ‘DAAM’, ku ishte aksioner i vetëm me 100% të kapitalit. Fillimisht kjo shoqëri është regjistruar me emrin ‘B-VAAL ENGI-10’ dhe më pas i është ndryshuar emri në ‘DAAM’ shpk. Evis Berberi e bleu këtë shoqëri me emërtimin fillestar për vlerën 100 mijë lekë nga themeluesi i saj Valter Begaj, në shtator të vitit 2018. Para se kjo shoqëri të ndërronte emërtimin në ‘DAAM’ shpk”, – thuhet në dosjen hetimore.