Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e PD për ligjin për tatimin e profesioneve të lira, vendimi final merret në 25 qershor

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar këtë të martë kërkesën e PD për pezullim të ligjit ‘Për tatimin e profesionistëve të lirë’ ndërsa ju ka lënë afat palëve të sjellin argumente shtesë deri në 21 qershor.

Ndërkohë mësohet se në datë 25 qershor do të jap vendimin final nëse do shfuqizohet apo jo ligji.

“Pas 7 orësh diskutime, në një seancë të hapur publike, Gjykata Kushtetuese vendosi të refuzojë miratimin e kërkesës për shfuqizimin e pjesshëm të disa e neneve në ligjin për “Tatimin mbi të ardhurat”, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Kryetarja e “Kushtetueseses”, Holta Zaçaj, ftoi përfaqësuesit e palëve paditëse (3 përfaqësuesve të padive, ajo e depozituar nga jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë PD, Shoqata “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” (IKM) dhe së “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar” (IEKA), si dhe nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë, bashkë me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave e këshillit të Minitsrave të paraqisnin provat shtesë brenda ditës së premte (21 qershor 2024). Ndërkohë, në fund u vendos që seanca e radhës, ku pritet të jepet edhe vendimi të zhvillohet më 25 qershor, ora 10:00.

Në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua sot seanca e parë për shqyrtimin e tre ankimeve për shfuqizimin pjesor të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Që prej orës 10:00 të mëngjesit, u dëgjuan argumentet e 3 përfaqësuesve të padive, ajo e depozituar nga jo më pak se 1/5 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, padia e Shoqatës së “Instituti i Kontabilistëve të Miratuar” dhe Shoqatës së “Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar”, si dhe nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë. Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u padit fillimisht në Gjykatën Kushtetuese në muajin shkurt nga 38 deputetë të partisë Demokratike”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Rikujtojmë se ligji u ankimua nga deputetët e opozitës, ndërsa më pas padi në Kushtetuese dërguan edhe Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) dhe Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), me pjesëmarrjen masive të avokatëve, juristëve dhe shumë profesionistë të lirë të fushave të ndryshme.