Presidenti rus Vladimir Putin, krenohet shpeshherë se vendi i tij po udhëheq botën në zhvillimin e armëve hipersonike, të cilat udhëtojnë me një shpejtësi mbi 5 herë më të madhe sesa shpejtësia e zërit, që është 331 metra në sekondë. Por një grup fizikanësh rusë që punojnë në këtë sektor, janë akuzuar për tradhti dhe janë burgosur vitet e fundit.
Shumica e të arrestuarve janë të moshuar, dhe 3 prej tyre kanë vdekur. Madje njëri prej tyre, u arrestua nga shtrati i tij në një spital ku po kurohej për një kancer në faza të avancuara. Ai vdiq shumë shpejt në qeli. Një tjetër është Vladisllav Galkin, 68-vjeçar, shtëpia e të cilit në Tomsk në Rusinë Jugore u bastis në prillin e vitit 2023.
Njerëz të armatosur dhe me maska të zeza në kokë, mbërritën në banesën e tij në orën 04:00 të mëngjesit, duke kontrolluar nëpër dollapët e dhomave, dhe duke sekuestruar letra me formula shkencore, tregon një i afërm i tij. Bashkëshortja e Galkin, Tatiana, u tha nipërve të tyre – të cilëve u pëlqente të luanin shah me të – se ai ishte në një udhëtim pune.
Ajo thotë se shërbimi rus i sigurisë, FSB, e ka ndaluar të flasë mbi rastin e tij. Që nga viti 2015, janë arrestuar 12 fizikanë, të cilët që të gjithë janë të lidhur në një farë mënyre me teknologjinë hipersonike apo me institucionet që punojnë në të. Ata akuzohen për tradhti të lartë ndaj atdheut, e cila mund të përfshijë edhe kalimin e sekreteve shtetërore tek vendet e huaja.
Gjyqet ndaj tyre mbahen me dyer të mbyllura, ndaj nuk është e qartë se për çfarë akuzohen me saktësi. Kremlini ka thënë vetëm se “akuzat janë të rënda”, dhe nuk mund të komentojë më tej pasi me këto raste po merren shërbimet sekrete. Por kolegët dhe avokatët e tyre mbrojtës, thonë se shkencëtarët nuk kanë qenë direkt të përfshirë në zhvillimin e këtyre armëve, dhe disa nga rastet bazohen në bashkëpunimin e tyre të hapur me studiues të huaj.
Kritikët thonë se FSB-ja synon që të krijojë përshtypjen se spiunët e huaj, po përpiqen të shtjenë në dorë sekretet e armëve ruse. Teknologjia hipersonike, i referohet raketave që mund të udhëtojnë me shpejtësi jashtëzakonisht të larta, dhe që mund të ndryshojnë drejtimin gjatë fluturimit, duke e shmangur mbrojtjen ajrore të kundërshtarit.
Rusia thotë se ka përdorur dy lloje të tilla raketash në luftën e saj kundër Ukrainës:Kinzhal, i lëshuar nga një avion dhe raketën lundruese Zirkon. Gjithsesi, Kievi thotë se forcat e tij kanë rrëzuar disa raketa Kinzhal, duke ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me aftësitë e tyre.
Ndërsa teknologjia po vazhdon të zhvillohet dhe vihet në zbatim, arrestimet kanë vazhduar. Menjëherë pas arrestimit në prill 2023, Galkin u ndalua dhe u nxor para gjykatës në të njëjtën ditë me shkencëtarin Valeri Zvegincev, me të cilin ai ishte bashkë-autor i disa punëve.
Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, ka cituar një burim që thotë se arrestimi i Zvegincev, mund të jetë nxitur nga një artikull i botuar në një revistë iraniane në vitin 2021. Galkin dhe Zvegincev, janë përmendur që të dy në atë artikull duke folur rreth mekanizmave të lëshimit të këtyre raketave nga avionët me shpejtësi të lartë.
Në verën e vitit 2022, FSB arrestoi dy kolegë nga i njëjti institut ku punonte edhe Zvegincev – drejtorin e tij dhe ish-drejtuesin e një laboratori për punën mbi aerodinamikën me shpejtësi të lartë. Punonjësit e Institutit të Mekanikës Teorike dhe asaj të Aplikuar (ITAM), kanë shkruar një letër të hapur në mbështetje të tre kolegëve të tyre të arrestuar.
Letra e hequr tashmë nga faqja e internetit e institutit, theksonte ndër të tjera së shkencëtarët e arrestuar njiheshin për “rezultatet e shkëlqyera shkencore”, dhe se “u kishin qëndruar gjithmonë besnikë” interesave të vendit të tyre. Puna e tyre ishte ndarë publikisht me të tjerët, kontrolluar në mënyrë të përsëritur për informacionet e klasifikuara nga komisioni i ekspertëve të ITAM, dhe nuk ishte gjetur asnjë shkelje.
“Armët hipersonike janë një çështje, për të cilën tani po futen shumë njerëzit në burg”- thotë Jevgeny Smirnov, avokat i “First Division”, një organizatë ruse për të drejtat e njeriut dhe ato ligjore. Smirnov i mbrojti në gjykatë shkencëtarët dhe të tjerët të akuzuar për tradhti, përpara se të transferohej nga Rusia në Pragë në vitin 2021, nga frika e pasojave që mund t’i vinin nga puna e tij.
Ai thotë se asnjë nga dhjetëra shkencëtarët nuk kishte lidhje me sektorin e mbrojtjes, por po studionte çështje shkencore të tilla si deformimi i metaleve tek mjete që udhëtojnë me shpejtësi hipersonike apo efektet e turbulencës. “Dhe kjo nuk ka të bëjë me prodhimin e një rakete, por me studimin e proceseve fizike”-thotë ai, teksa thekson se gjetjet mund të përdoren më vonë nga zhvilluesit e armëve të tilla.
Arrestimet kishin filluar që disa vite më parë me Vladimir Lapigin. Sot 83 vjeç, Lapigin u burgos që në vitin 2016, por u lirua me kusht 4 vjet më vonë. Ai kishte punuar për 46 vjet për institutin kryesor të kërkimit të agjencisë ruse të hapësirës, TsNIIMash. Lapigin u dënua për një paketë softuerike për llogaritjet aerodinamike, që ia dërgoi një kolegu kinez.
Ai thotë se i dërgoi një version demo, si pjesë e diskutimeve rreth shitjes së mundshme të paketës së plotë në emër të institutit. Por shton se versioni që i tregoi kinezit, nuk përmbante ndonjë informacion sekret, por vetëm një shembull që ishte “përshkruar vazhdimisht në botime publike”’.
Lapigin i tha BBC-së të gjithë të arrestuarit në lidhje me hipersonikët “nuk kishin të bënin me” zhvillimin e armëve. Një shkencëtar tjetër i arrestuar në vitin 2022, ishte Dimitri Kolker, specialist në Institutin e Fizikës Lazerike në Siberi. Ai ndodhej në atë moment në spital me një kancer të avancuar të pankreasit.
Familja tha se akuzat kundër tij, bazoheshin në leksionet që kishte mbajtur në Kinë, por përmbajtja e tyre ishte miratuar paraprakisht nga FSB. Për më tepër, një agjent i e saj udhëtoi me Kolker. Shkencëtari vdiq dy ditë pas arrestimit, në moshën 54-vjeçare.
“Ekziston një konflikt brenda sistemit”-thotë një koleg i njërit prej shkencëtarëve të arrestuar, që dëshiron të mbetet anonim. Shkencëtarët përpiqen të botojnë ndërkombëtarisht dhe të bashkëpunojnë me kolegë të huaj “po FSB mendon se kontakti me shkencëtarë të huaj dhe shkrimet për revista të huaja, përbëjnë një tradhti ndaj atdheut” thekson ai.
Edhe shkencëtarët e ITAM mendojnë të njëjtën gjë. “Ne nuk e kuptojmë se si mund të vazhdojmë të bëjmë punën tonë. Ajo për të cilën shpërblehemi sot… bëhet nesër shkak për ndjekje penale”- thuhet në letrën e tyre të hapur. Ata paralajmërojnë se të gjithë shkencëtarët, kanë frikë të angazhohen në disa fusha të kërkimit, ndërsa punonjësit e rinj të talentuar po largohen nga shkenca.
Letra ishte një shembull i rrallë i mbështetjes publike. Institutet e tjera ku punonin shkencëtarët e arrestuar, nuk kanë bërë asnjë koment. Raste të tjera kanë të bëjnë me bashkë-punimin ndërkombëtar. Një hetim ndaj dy shkencëtarëve të tjerë ishte i lidhur me Hexafly, një projekt evropian për të zhvilluar një avion civil hipersonik sipas avokatit Smirnov, i cili punoi në këtë çështje.
Ky projekt, tashmë i përfunduar, u drejtua nga Agjencia Evropiane e Hapësirës dhe filloi në vitin 2012. Agjencia i tha BBC-së se “për të gjitha kontributet dhe shkëmbimet teknike ishte rënë dakord më herët” në një marrëveshje bashkëpunimi midis palës ruse dhe asaj evropiane.
Të dy shkencëtarët u dënuan vitin e kaluar me nga 12 vjet burg, megjithëse Gjykata e Lartë e Rusisë, ka urdhëruar një rigjykim të njërit prej tyre. Arrestime të tjera lidhen me një studim mbi aerodinamikën pasi një mjet hapësinor ri-hyn në atmosferën e Tokës. Ai u financua nga një skemë e Bashkimit Evropian, dhe u drejtua nga Instituti von Karman i Dinamikave të Fluideve me seli në Belgjikë.
Hetuesit e FSB-së ishin të shqetësuar për një formë koni të rrumbullakosur, që dukej si një bombë bërthamore lufte, në kërkimin që shkencëtari Viktor Kudrjavtsev, dërgoi në Institutin von Karman, sipas të vesë së tij, Olga. Instituti thotë se programi, i cili u zhvillua në vitet 2011- 2013 “e përjashtonte shumë qartë kërkimin ushtarak”.
Pra nuk mundi të gjente asnjë gjurmë të zbulimit të informacionit sekret nga ekipi i Kudrjavtsev.
Grupet e të drejtave të njeriut, shohin një model të qartë në këto arrestime dhe dënime. Smirnov thotë se në biseda private, oficerët e FSB-së i kanë thënë atij se akuzat për ndarjen e sekreteve hipersonike po fabrikohen enkas “për të kënaqur dëshirat e atyre më lart”.
Ai beson se FSB-ja dëshiron të krijojë përshtypjen se spiunët po shesin sekretet e raketave ruse “për të lajkatur egon” e Vladimir Putin. Këto raste, vijnë në mesin e një rritje më të gjerë të dënimeve për tradhti. Sergei Davidis, i cili drejton punën për mbështetjen e të burgosurve politikë rusë në qendrën e të drejtave të njeriut Memorial, flet për një “atmosferë të manisë së spiunazhit dhe izolacionizmit”, sidomos që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.