Shuhet zjarri në Shkodër, tregu i rrobave të përdorura dhe 5 banesa u shkrumbuan nga flakët

Zjarri i përmasave të mëdha i cili ra mbrëmjen e së premtes në lagjen “Ndoc Mazi” në qytetin e Shkodrës, është fikur gjatë natës.

Si pasojë e zjarrit janë djegur 5 banesa si dhe tregu i sendeve të përdorura.

Lufta me flakët zgjati disa orë, ku në vendngjarja shkuan forca të shumta zjarrfikëse, ndërsa policia evakuoi banorët. Për fikjen e zjarrit kontribuan njësi nga Ulqini e Tivari, autoambulanca dhe një helikopter “Cougar” i Forcave të Armatosura.

Zjarri në tregun e rrobave të përdorura ra rreth orës 19:00 të pasdites së djeshme dhe situata u vështirësua kur flakët u afruan pranë shtëpive private në lagjen “Qafë Hardhi” të Bashkisë Shkodër. 

Nga tymi, një banore e zonës dhe dy zjarrëfikës patën probleme shëndetësore dhe u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, fatmirësisht pa probleme serioze.