Filmoi trupin e pajetë të recepsionistit dhe ua dërgoi mediave, ndalohet shoferi i autoambulancës në Vlorë

Shoferi i ambulancës së morgut në Vlorë është ndaluar nga policia pasi akuzohet se ka filmuar me celular trupin e pajetë të Eraldo Nevruzit për t’ua dërguar mediave.

62 vjeçari me inicialet  A. I., është ndaluar për veprën penale “Zbulimi i akteve dhe të dhënave sekrete”.

Në njoftim thuhet se policia ka kontrolluar telefonin e tij dhe ka gjetur pamjet filmike të trupit të 31 vjeçarit që u vra nga pronari i hotelit në Dhërmi. Shoderi ua kishte dërguar ato burimeve mediatike me qëllim publikimin.

Recepsionisti 31-vjeçar Eraldo Nevruzi u gjet dje i vrarë në një gurore në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.

Viktima u vra në një nga dhomat e stafit në hotelin Greccia në Dhërmi ku punonte si recepsionist nga Gerald Shehu, i cili ishte bashkëpronar me vjehrrën e tij.

Pasi e qëlloi me pistoletë pak pas mesnatës së të mërkurës (6 Qershor), 43-vjeçari Gerald Shehu dyshohet se me ndihmën e dy punonjësve të tjerë Daniel Qose, 34 vjeç dhe David Larti 31 vjeç, e transportoi trupin e pajetë nga dhoma në makinën e tij tip Audi, ku edhe më pasi e hodhi pranë gurores.

Autori i dyshuar i krimit tentoi të arratisej drejt Britanisë nga Korfuzoi, por është arrestuar nga autoritetet greke ditën e ngjarjes së rëndë dhe pritet ekstradimi i tij në vendin tonë.