Gjyqi ndaj Hanter, problemet e familjes së Xho Bajden vetëm sa kanë filluar

Nga Michael Dorstewitz “Newsmax”

Gjyqi ndaj djalit të madh të presidentit amerikan Xho Bajden, Hanter Biden, nisi të hënën në gjykatën federale të rrethit në Uillmington, Delauer, dhe gjërat po duken shumë keq si për Hanter, ashtu edhe për të atin e tij.

Çështja është nëse Hanter gënjeu apo në një formular ATF 4473, ku regjistrohen blerjet e armëve zjarrit, në momentin kur bleu një armë dhe kur u përgjigj me “Jo” ndaj pyetjes “A je përdorues i paligjshëm ose i varur nga marijuana ose ndonjë depresant, stimulues, lëndë narkotike apo ndonjë substancë tjetër?”.

Gënjeshtra në këtë formular përbën një krim. Po të kishte thënë të vërtetën, Hanterit do t’i ishte refuzuar blerja e armës së zjarrit. Por argumenti i avokatit të tij mbrojtës, tingëllon i njohur për cilindo që ka dëgjuar edhe justifikimet e herëpashershme të babait të tij:Nuk është faji im!

Sipas deklaratës hapëse të avokatit mbrojtës, Ebi Louell, Hanter nuk e konsideronte veten të varur nga droga, dhe punonjësi i dyqanit të armëve duhet ta dinte shumë mirë nëse duhej apo jo t’i shiste Hanterit një armë zjarri, pasi ai kishte si mjet identifikimi “vetëm” pasaportën.

Madje ai fajësoi Holli Bajdenin, të venë e vëllait të tij të ndjerë Bio. Në kohën kur Hanter bleu armën, Holli ishte e dashura e tij. Ajo e gjeti armën një ditë në një sirtar, e vendosi në një çantë dhe e hodhi në një kosh plehrash, nga frika se Hanter mund ta përdorte për ta vrarë kur të ishte nën efektin e drogës.

Më në fund arma ra në duart e policisë, e cila gjeti në çantë edhe një substancë të bardhë, që pas analizave rezultoi të ishte kokainë, droga e preferuar e Hanterit.”Hanter e vendosi armën në kutinë e mbyllur të makinës së tij Ford, ndërkohë ishte Holli ajo që e futi në çantë “- tha Louell para jurisë.

Sipas NBC News “është e qartë se Louell po përpiqet të fundosë Holli Bajdenin”. Po ashtu, NBC raportoi se Holli do të paraqitet si dëshmitare e prokurorisë, dhe do të dëshmojë nën imunitet nga ndjekja penale për akuzën e përdorimin të paligjshëm të drogës.

Javën e kaluar, korrespondenti i NBC News Geri Grumbah, raportoi se “presidenti Bajden shkoi sot në shtëpinë e Holli Bajden, e veja e djalit të tij të ndjerë Bio Bajden”. Ai shtoi se Holli është një nga 12 dëshmitarët që prokurorët presin të thërrasin këtë muaj, mbi çështjen e armëve të blera nga Hanter Bajden në një dëshmi të rreme.

“Shtëpia e Bardhë pretendoi se ishte një takim i pafajshëm, duke thënë:”Ai e vizitoi atë në kuadër të 9-vjetorit të vdekjes së Bio”. Bio Bajden vdiq më 30 maj 2015. Gjithsesi, tingëllon ende disi e çuditshme, apo jo? Por mund të mos e ndihmojë shumë familjen presidenciale.

Të dielën, një ditë para përzgjedhjes së jurisë, gjyqtari që drejtoi seancën i dha mbrojtjes disa goditje të forta. Gjykatësja Marielen Noreika “bllokoi një pjesë të rëndësishme të provave, që mbrojtja donte të përdorte në lidhje me format e armëve” raportoi Marshall Kohen i CNN.

“Së dyti, ajo refuzoi që ta lejojë të flasë dëshmitarin e tyre, një ekspert i varësisë ndaj substancave narkotike. Kohen e përfundoi kështu raportimin e tij:Dhe kjo e bën një çështje tashmë të vështirë, akoma më të vështirë për Hanter Bajdenin”.

Të hënën, ditën e fillimit të gjyqit ndaj të birit, presidenti amerikan lëshoi ​​një deklaratë e cila fillonte me fjalinë:”Unë jam president, por jam edhe baba”. “Xhill dhe unë e duam djalin tonë, dhe jemi shumë krenarë për njeriun që ai është sot. Qëndrueshmëria e Hanterit përballë vështirësive, dhe forca që ai ka treguar për t’u rikuperuar, janë frymëzuese për ne. Shumë familje kanë njerëz të dashur që kanë varësi nga droga, dhe e dinë shumë mirë se çfarë duam të themi”- vijoi më tej deklarata.

Ai përfundoi:”Si president, unë nuk komentoj dhe nuk do të komentoj çështjet federale që janë në zhvillim, por si baba, kam një dashuri të pakufishme për djalin tim, besim tek ai dhe respekt për forcën e tij. Familja jonë ka kaluar shumë sfida së bashku, dhe Xhill dhe unë do të vazhdojmë të jemi atje për Hanterin dhe familjen tonë, me dashurinë dhe mbështetjen tonë”.

Stiv Gest, ish-këshilltar për komunikimin publik i senatorit republikan të Teksasit Ted Kruz, tha se “kjo deklaratë e Xho Bajden është po aq delikate sa një atak në zemër, teksa sapo ka nisur gjyqi ndaj Hanter”- tha ai , duke vënë në dukje fjalët e tij:”Unë jam presidenti!”.

Në fakt e theksoi 2 herë këtë gjë. Ishte një kujtesë për jurinë por edhe gjykatësin federal. Por pavarësisht se si do të përfundojë gjyqi, kjo nuk do të nënkuptojë aspak fundin e problemeve të Hanterit apo edhe të babait të tij. Një libër i shkruar nga Landen Roberts “Përtej hijeve:Jeta ime brenda botës së Hanter Bajden” është gati të dalë në treg.

Roberts është nëna e vajzës së Hanter, Nevit, të cilën Shtëpia e Bardhë e Bajden refuzoi që ta pranonte për vite me radhë. Libri përshkruhet si “Kujtimet e gjithanshme të marrëdhënies së trazuar të Landen Roberts me Hanter Bajdenin”. Është planifikuar të publikohet më 20 gusht.

Konventa Kombëtare e Partisë Demokratike, do të mbahet në datat 19-22 gusht. Ndërkohë, më 31 maj, në një reagim pasi një juri në Manhatan shpalli fajtor ish-presidentin Trump për 34 akuza, Bajden tha se “Askush nuk është mbi ligjin”. Shumë shpejt, ai mund të zbulojë se sa e vërtetë është kjo deklaratë.

Shënim:Michael Dorstewitz, ish-oficer i Marinës Tregtare të SHBA-së.