Ditën e sotme në orën 10:00 opozita proteston brenda dhe jashtë Kuvendit, ku pritet që seanca plenare të përfshihet nga debatet dhe kaosi.
Pas publikimit të pjesës së dytë të reportazhit të “Report” në RAI3 për Shqipërinë, opozita ka kërkuar mocion me debat në Kuvend si dhe protestë, jashtë dyerve të tij.
Ndërkohë mësohet se rreth 400 efektivë nga Policia e Tiranës (efektivë të rendit, forcat Shqiponja, agjentë) dhe Forcat e Sigurisë Kombëtare (FNSH) janë angazhuar për mbarëvjatjen e protestës para Parlamentit.
Po ashtu në perimetrin e Parlamentit janë instaluar kamera me rezolucion të lartë për të identifikuar çdo lëvizje të protestuesve që policia të ketë të gjitha provat e mundshme nëse do të ketë incidente.
Gjithashtu edhe forcat RENEA do të jenë në gatishmëri nëse gjatë protestës do të ketë incidente. Dy ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, u kërkoi deputetëve angazhim maksimal në lidhje me tubimin e sotëm.
Sakaq, policia ka sqaruar se prej orës 08:00 të mëngjesit dhe në vijim do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin Zhan D’Ark dhe rrugën “Xhorxh Bush”.