Nën hetim nga SPAK, Ceno Klosi jep dorëheqjen nga Tatimet, Balluku e merr në ministri

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ceno Klosi është dorëhequr nga detyra. Klosi është vënë në hetim nga SPAK për katër vepra penale: Korrupsion, shpërdorim detyre, mashtrim dhe falsifikim i dokumenteve.

Ceno Klosi pritet të emërohet si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, sipas Report tv. Klosi u emërua drejtor në dhjetor të vitit 2021, ku zëvendësoi Delina Ibrahimaj, aktualisht ministre e Shtetit për Sipërmarrjen.

Ai është një nga njerëzit më të besuar të ministres Belinda Balluku. Ai e ka filluar karrierën për 13 vite si specialist dhe drejtues sektorësh në banka të nivelit të dytë dhe më pas gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik në OSHEE.

Në qershor të 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës- Kanalizime dhe Mbetjeve të ngurta, ndërsa në 22 Dhjetor 2021 u emëruar drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.