EMRI/ Përfitoi nga amnistia, lirohet nga burgu i “tmerrshmi” i Beratit

Aleksandër Kuqo, i njohur me nofkën i “tmerrshmi” i Beratit është një prej qindra përfituesve të amnistisë.

Ai është liruar nga burgu, edhe pse i kishte mbetur një vit e gjysmë burg për ta vuajtur në burgun e Beratit, siç raporton Top Channel.

Mbi Aleksandër Kuqon rëndojnë dhjetëra akuza nga drejtësia italiane, e cila në vitin 1999 e ka dënuar me burgim të përjetshëm për akuzat e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim”, “armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “trafikimit të femrave për prostitucion në bashkëpunim”.

Vendimi i Gjykatës së Fierit, që e konvertoi vendimin italian në 21 vjet heqje lirie, në atë kohë u përfol dhe u konsiderua si një skandal i drejtësisë shqiptare.

Në vitin 2003 Kuqo u arrestua për llogari të Policisë së Fierit pasi rezulton banor i këtij qyteti, por u lirua nga gjykata pasi prokuroria paraqiti një dokumentacion që vërtetonte se ai ishte i sëmurë mendor. Lirimi i Kuqos pasoi shkarkimin e një prokurori dhe një gjykatësi në Fier.

Aleksandër Kuqo u riarrestua më datën 6 maj të vitit 2006, nga Policia e Beratit për llogari të Prokurorisë së Fierit dhe në atë urdhër përcaktohej prangosja e Kuqos “për ekzekutimin e vendimit penal nr.13, datë 22 janar 2003, dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, Fier, për caktimin e masës mjekësore ndaj Aleksandër Kuqos”.