Nga Natasha Lindstaedt “The Conversation”
Për dekada me radhë Gotland ka qenë një destinacion popullor për pushime. Por kohët e fundit komandanti i përgjithshëm i ushtrisë suedeze, Mikael Biden, deklaroi se presidenti rus Vladmir Putin “i ka hedhur sytë” pikërisht tek ky ishull.
Shqetësimi u rrit më tej, duke treguar se Gotland ishte vetëm një pjesë e ambicieve të Rusisë në Detin Baltik. Ditët e fundit Rusia publikoi një dokument që sugjeronte rishikimin e kufijve detarë në Gjirin e Finlandës.
Projekti-dekreti i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, që tashmë është hequr nga faqja zyrtare në internet e qeverisë ruse, konfirmonte synimin e Moskës për të rishikuar kufijtë e saj me Finlandën dhe Kaliningradin (bazuar në një rezolutë të miratuar nga qeveria e Bashkimit Sovjetik që në vitin 1985) dhe të zgjeronte ujërat e saj territoriale.
Gotland ka një vendndodhje strategjikisht të rëndësishme. Ai ndodhet në mes të Detit Baltik (në gjysmën e rrugës midis Suedisë dhe Estonisë) dhe vetëm 300 km nga vendi ku është vendosur flota ruse e Baltikut. Anëtarësimi i Suedisë në NATO dhe qasja në Gotland, e ka rritur ndjeshëm aftësinë e aleancës për të vendosur dhe mbështetur forcat e saj në rajonin e Detit Baltik.
Dhe nuk ka dyshim se kjo e ka ndryshuar mbrojtjen e Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Finlandës dhe Polonisë. Për shkak të rëndësisë së saj strategjike, gjatë pjesës më të madhe të Luftës së Ftohtë, Suedia mbajti një prani të madhe ushtarake në ishull. Por Gotland u de-militarizua në vitin 2005, për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin në rajonin e Baltikut.
Por ky gjest i vullnetit të mirë, u testua jo shumë kohë më vonë nga disa rusë që nuk përshtateshin me profilin e zakonshëm të turistit të Gotland, dhe që nisën të vizitojnë rregullisht ishullin. Më pas, më 29 mars 2013, dy bombardues bërthamorë Tupolev Tu-22M3 iu afruan vetëm 24 milje Gotland-it.
Pasi Rusia pushtoi Krimenë në vitin 2014, Suedia ndërmori hapa të rëndësishëm për të mbrojtur veten. Dy vite më vonë vendosi atje 150 trupa të përhershme. Në vitin 2018, ky numër u rrit në 400, duke i pajisur ata me mjetet e blinduara CV90 dhe tanket Leopard 2. Ndërkohë në vitin 2021 u vendosën dhe aktivizuan sistemet e mbrojtjes ajrore.
Pushtimi i plotë i Rusisë i Ukrainës në vitin 2022 çoi në përforcime, stërvitje dhe investime shtesë në mbrojtjen e Gotland, me një shpenzim total prej 160 milionë dollarësh. Në prillin e vitit të kaluar, Suedia zhvilloi në ishull stërvitjen e saj më të madhe ushtarake në 25 vjet, së bashku me trupat polake dhe britanike.
Për shefin e ushtrisë suedeze Biden, arsyet për forcimin e mbrojtjes së tij në Gotland janë më se të qarta. Gotland është një aset i madh strategjik ndaj duhet të mbrohet, në mënyrë që të parandalohen kërcënime më të mëdha nga Rusia ndaj vendeve të NATO-s nga ana e detit.
Distancat gjeografike në Baltik janë të vogla, dhe nëse Rusia do të pushtonte Gotland-in në rastin e një krize, ajo mund të dominojë të gjithë rajonin e Detit Baltik. Dhe kjo do t’ia bënte Perëndimit shumë të vështirë të siguronte përforcime për shtetet baltike nga deti apo ajri.
Por e shqetësuar për këtë rrezik nuk është vetëm Suedia. Lituania kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit (e cila vetë është bërë gjithnjë e më e militarizuar) dhe Bjellorusinë. Vilniusi është i shqetësuar se mund të sulmohet, dhe më pas të izolohet fizikisht nga pjesa tjetër e Baltikut.
Siç e ka zakon Moska, kur dokumenti në internet mbi ndryshimin e kufijve detarë rusë u pa në Perëndim, Kremlini mohoi të kishte ndonjë plan të tillë. Por nga zyrtarët rusë, nuk kishte asnjë shpjegim se pse propozimi i Ministrisë së Mbrojtjes hoq nga faqja zyrtare e qeverisë.
Ndërsa udhëheqësit e vendeve baltike kërkuan sqarime, Lituania paralajmëroi se kjo ishte një taktikë tjetër frikësuese e Rusisë.
Madje kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, shkoi më tej, duke pretenduar se Rusia po përfshihet në një “luftë në hije” me Perëndimin. Deti Baltik ka qenë më herët zonë e tensioneve të rritura. Anijet ruse kanë nxitur armiqësi për shkak të sjelljes së tyre gjithnjë e më të pacipë e të pakujdesshme, duke shkelur rregullat detare dhe duke lundruar me cisterna nafte të vjetra dhe të pasiguruara, të cilat potencialisht mund të shkaktojnë një katastrofë mjedisore.
Çisternat ruse në hije (anije që përdoren në vendet që janë nën sanksione), kanë qenë të pranishme në zonën ekskluzive ekonomike të Suedisë në brigjet lindore të Gotland. Flota ruse përbëhet nga rreth 1400 anije që nuk janë zyrtarisht pjesë e ushtrisë ruse.
Shumë nga këto cisterna në hije e refuzojnë praktikën e orientimit të lëvizjes nga pikat portale më të afërta edhe kur lundrojnë në Brezin e Madh të Danimarkës. Dhe të gjitha këto provokime ndodhin pak jashtë kufirit të 12 miljeve detare (ujërat territoriale të një vendi), duke ia pamundësuar reagimin Suedisë, pasi këto cisterna tregtare nuk janë pjesë e marinës zyrtare të Rusisë.
Marina suedeze, ka paralajmëruar se Rusia ka të ngjarë t’i përdorë këto cisterna nafte për t’u përfshirë në sabotime, zbulime dhe spiunazh. Për shkak të këtyre zhvillimeve, kryeministri suedez i informoi qytetarët në mars të këtij viti se duhej të përgatiteshin për luftë. Në të kaluarën, Gotland ka qenë një pengesë kundër zgjerimit të ndikimit sovjetik.
Por nën drejtimin e Putin, Rusia ngjan sot më pak e përmbajtur dhe më e prirur drejt aventurave. Ndërkaq mbetet e paqartë nëse këto provokime janë pjesë e një lufte në hije nga rusët për ta përçarë dhe terrorizuar psikologjikisht Perëndimin, apo nëse ky është një prelud i një lufte të madhe, e cila do të fillonte nëse Rusia do të sulmonte Gotlandin.
Duke qenë se Suedia është tani anëtare e NATO-s, kjo do të thotë se të gjithë anëtarët e aleancës duhet të dalin në mbrojtje të Suedisë nëse ajo përballet me një sulm. Suedia ka një flotë ajrore dhe detare të klasit botëror, si dhe një bazë industriale të mbrojtjes teknologjikisht shumë të përparuar.
Duke pasur parasysh aftësitë ushtarake të Suedisë, është e vështirë të parashikohet nëse kjo është e mjaftueshme për të penguar nisjen e konfliktit me Rusinë. Tani për tani, duket se Rusia është e vendosur të mbajë një gjendje pezullie rreth synimeve të saj në Baltik, një rajon që bart si asetet ashtu edhe dobësitë më të mëdha të NATO-s. Për pasojë, rajoni i Baltikut është bërë një shesh lojërash në luftën hije që po zhvillon Rusia ndaj Perëndimit.