Nga Susanne Koelbl “Der Spiegel International”
Pasardhësi më i madh në moshë i ish-monarkut i ngjan shumë të atit. Por duket më i butë dhe më pak muskuloz. 63-vjeçari ka veshur një kostum blu të errët me vija, dhe flokët e tij të thinjur i ka krehur nga mbrapa. Në xhaketë ka ngjitur një flamur të vogël iranian. Pahlavi ka një mision. Kohët e fundit ka udhëtuar nëpër botë, në vende si Tokio, Seuli, Uashingtoni dhe Brukseli. Ishte pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë së Mynihut në vitin 2023. Aktualisht ndodhet në Londër, ku takohet çdo ditë me politikanë, media dhe këshilltarë. Pahlavi dëshiron të rrëzojë nga pushteti udhëheqjen islamike në Teheran, revolucionarët që dikur rrëzuan babanë e tij dhe përzunë familjen e tij nga vendi.
Djali më i madh i Shahut të fundit, Rezi Pahlavi, lindi në Teheran në vitin 1960. E ëma e tij, Farah Diba, shihej gjerësisht si Xheki Kenedi e Lindjes së Mesme për shkak të elegancës dhe interesave të saj të përparuara në art, fuqizimin e grave dhe edukimin e tyre. I emëruar si Princi i Kurorës, pas përfundimit të shkollës ai u trajnua si pilot luftarak.
Më vonë, pas revolucionit dhe arratisjes së familjes së tij, studioi për shkenca politike në SHBA. Dy nga tre vëllezërit e motrat e Pahlavi u prekën nga depresion. Motra e tij vdiq nga një mbidozë e pilulave të gjumit. Edhe vëllai vrau veten. Ndërkohë nëna e Pahlavit, sot 85 vjeçe jeton në Paris. Pahlavi është i martuar dhe jeton me gruan e tij në shtetin amerikan Merilend. Çifti ka tre vajza. Intervista jonë u zhvillua në një hotel në lagjen londineze Mayfair. Për arsye sigurie, vendndodhja e saktë na u dha vetëm pak minuta para intervistës.
Zoti Pahlavi, ju ishit një princ i kurorës 18-vjeçar kur u detyruat të largoheshit nga Teherani 45 vjet më parë, si rezultat i Revolucionit Iranian. Vitet e fundit jeni shfaqur si një fener shprese për një ndryshim të sistemit në vend. A mund të ndihmojë vdekja e presidentit Raisi në një ndryshim të tillë?
Politika e Republikës Islamike do të vazhdojë si më parë, me Ali Khamenein si diktator në krye.
Ju qëndruat në prapavijë për mjaft kohë. Tani po angazhoheni në mënyrë aktive për ndryshimin e regjimit. Çfarë synoni?
E kam nisur këtë mision 4 dekada më parë, kur vendi im ishte në luftë. Shumë gjëra kanë ndodhur atje që kur u largova. Duke pasur parasysh burimet dhe aftësitë e tij të mëdha, Irani duhet të ishte shndërruar në një Kore të Jugut në Lindjen e Mesme. Në vend të kësaj, është bërë Koreja e Veriut e Lindjes së Mesme. Askush nuk beson më tek reformat, dhe iranianët po kërkojnë një skenar për tranzicionin. Unë po ndërhyj për ta ofruar atë udhëheqje, sepse ndaj meje ka shumë pritshmëri.
Në vitin 1979, iranianët e përzunë babanë tuaj jashtë vendit me turp, për shkak të stilit të tij autoritar të udhëheqjes dhe padrejtësive sociale. Edhe familja juaj u detyrua të largohej. Çfarë ju jep sot besim se njerëzit duan që të ktheheni?
Unë marr prej tyre një përkrahje të madhe. Lexoj çfarë shkruhet në mediat sociale në Iran; dëgjoj iranianët që këndojnë emrin e gjyshit tim në ndeshjet e futbollit. Shoh të rinj iranianë që bëjnë tatuazh firmën e babait tim në krahët e tyre. Për mua, këto janë shenja të qarta se shumë iranianë e kanë rishikuar pozicionin e tyre të mëparshëm, pavarësisht që kanë pësuar për dekada.
Babai juaj, Shahu i fundit, sundoi me dorë të hekurt. Sipas organizatave të të drejtave të njeriut, nën udhëheqjen e tij u arrestuan një numër i madh të burgosurish politikë, ku shumë prej tyre u torturuan dhe u vranë. Kjo nuk është harruar në Iran…
Në atë kohë kishte një krizë politike, ndaj kishte mangësi. Asnjë sistem nuk është i përsosur. Por iranianët e kuptuan se qëllimi i dinastisë Pahlavi të paraardhësve të mi ishte modernizimi:futja e infrastrukturës, arsimit, reformës së tokës, kujdesit shëndetësor dhe të drejtave të barabarta për gratë. Në atë kohë Irani ishte në pararojë. Grave iu njoh e drejta e votës 8 vjet përpara zviceraneve. Derisa ndodhi një revolucion që prishi gjithçka.
Por ju nuk jeni distancuar asnjëherë nga dhuna e shërbimit sekret famëkeq SAVAK të babait tuaj…
Unë kam kritikuar aty ku duhet kritika. Këto çështje i trajtoj hapur në librat e mi. Megjithatë, ka pasur një ekzagjerim jo-proporcional të fakteve, sidomos nga islamikët radikalë dhe marksistët. Ata ishin të interesuar ta denigronin regjimin, i cili ishte kryesisht pro-perëndimor dhe nuk pajtohej me ideologjinë e tyre.
Shumëçka tashmë është zbuluar dhe dokumentuar…
Por unë nuk jam si babai. Kam planet, vizionin tim dhe duhet të gjykohem nga ajo që propozoj.
Çfarë konkretisht?
Unë ua ofroj veten iranianëve në këtë proces si një ndërmjetës i ndershëm i tranzicionit në një epokë të re. Po përpiqem t’u them njerëzve që të mos shpresojnë vetëm për kohë më të mira:Le të fillojmë të besojmë se mund ta bëjmë këtë. Qëllimi im është të garantoj sundimin e ligjit për çdo qytetar, përfshirë të drejtat e grave, të drejtat etnike, të drejtat fetare etj.
Teherani drejtohet nga një qeveri brutale autokratike, që tregoi vendosmërinë e saj për të mbrojtur pushtetin me të gjitha forcat në kryengritjen e fundit masive, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Jina Amini në një komisariat policie. Si keni ndërmend t’i rrëzoni?
Unë dua një revolucion. Iranianët janë ende të përgatitur për të bërë sakrifica. Sepse ata e dinë se janë të marrë fund, nëse nuk e heqim qafe këtë regjim.
Është e lehtë të bësh një deklaratë të tillë nga holli i një hoteli me pesë yje në Londër…
Kryengritja e fundit ishte tashmë një revolucion. Kjo ishte përgjigja e tyre e natyrshme ndaj shtypjes, jo sepse këtë ua kërkova unë. Demonstruesit brohorisnin “Vdekje diktatorit!”. Ali Khamenei, lideri revolucionar që e përfaqëson këtë regjim, është refuzuar nga të paktën 80 për qind e shoqërisë iraniane. Ushtria dhe para-ushtarakët, janë të shqetësuar se do të ishin viktimat e para të akteve të hakmarrjes në rastin e një përshkallëzimi të situatës.
Ju jetoni në SHBA prej 4 dekadash. Thuhet se jeni shumë më afër me republikanët sesa me demokratët. A keni filluar tashmë të bisedoni me ish-presidentin e SHBA-së dhe ndoshta të ardhshëm, Donald Trump, për ndryshimin e regjimit në Teheran?
Unë nuk e kam takuar ende zotin Trump. Por gjatë viteve të fundit kam qenë në bisedime me anëtarët e të dyja kampeve. Unë gjej partnerë dialogu nga të dyja palët që ndajnë vizionin tonë. Argumentet nuk ndryshojnë nëse bisedoj me Donald Trump apo Joe Biden. Çështja është se cila mendojnë ata se është përgjigja e duhur!
Një vit më parë vizituat Izraelin, një kundërshtar i hapur i Republikës Islamike. Ju diskutuat rikthimin tuaj të mundshëm në pushtet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe kreun e Mossad-it. A jeni ju dhe Netanyahu tani të bashkuar në luftën kundër Republikës Islamike?
Qëllimi i këtij udhëtimi të parë nga një politikan iranian në Izrael, ishte t’u shpjegonte izraelitëve se çfarë mund të nënkuptojë një Iran laik dhe demokratik për ta dhe për Lindjen e Mesme. Çfarë do të thotë kur kombi iranian jeton në paqe me fqinjët e tij dhe mban marrëdhënie miqësore, dhe kur ky vend nuk është armiqësor ndaj botës arabe dhe ekzistencës së Izraelit.
Ju ishit Princi i Kurorës së monarkisë së fundit, dhe nuk hoqët dorë asnjëherë nga titulli. Në çfarë roli do të dëshironit të ktheheshit në Iran:Si monark, kryeministër apo president?
Synimi im është të kemi një vend laik, një proces demokratik, në të cilin të dëgjohet çdo zë dhe çdo votë të numërohet në mënyrë të drejtë dhe transparente. Unë nuk jam pro monarkisë apo republikës. Kjo është një çështje që do ta vendosin iranianët në kutinë e votimit. Unë thjesht dua të jem një lehtësues i këtij tranzicioni, dhe s’kam asnjë qëllim përtej kësaj.
A shpresoni që kriza aktuale e shkaktuar nga vdekja e presidentit Raisi, do ta afrojë kthimin tuaj në Iran?
Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei, ka bërë thirrje për zgjedhje të reja. Sigurisht, ato do të manipulohen sërish. Unë do t’i bëj thirrje bashkatdhetarëve të mi që t’i bojkotojnë masivisht këto të ashtuquajtura zgjedhje. Qëllimi është të thellohet ndarja e fortë që tashmë ekziston brenda Republikës Islamike, dhe të shkohet drejt një lëvizje të madhe popullore.
**Marrë me shkurtime