Humbi kontaktet me familjarët në kufirin serbo-kroat, Leo Ruçi gjendet në Itali

Është gjetur në Itali Leo Ruçi, i cili rezultonte i zhdukur që prej datës 20 maj. Familjarët e të riut kanë njoftuar sot zyrën e Ministrisë së Brendshme, ku kanë deklaruar se sot kanë kontaktuar me 34-vjeçarin dhe se ai ndodhej në Itali.

Ata kanë falënderuar ministrin e Brendshëm, Taulant Balla për angazhimin e tij për gjetjen e të riut.

34-vjeçari kishte pak ditë që ishte liruar nga burgu pasi përfitoi nga Amnistia Penale dhe mësohet se ishte nisur drejt Britanisë së Madhe te gruaja dhe fëmijët e tij.

Familjarët dyshonin se mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga personat me të cilët ka qenë në burg. Momenti i fundit kur 34-vjeçari nga Dibra kishte folur me familjarët e tij ka qenë në kufirin serbo-kroat.

Roci u largua nga banesa për të shkuar drejt Britanisë me datë 19 maj dhe ka udhëtuar drejt Kosovës me autobusin e linjës Durrës-Prishtinë. Pasi ka arritur në Prishtinë nuk ka patur biletë për më tej dhe ka fjetur në një hotel në kryeqytetin e Kosovës.

Të nesërmen më 20 maj është nisur me një Taxi për në Serbi nga dogana e Merdares. Pasi ka kaluar doganën me Taxi, kjo e fundit e ka çuar në autobusin që nisej për në Beograd.

Prej andej me një Taxi tjetër ka shkuar në piken kufitare Serbi-Kroaci, ku ka kontaktuar për herë të fundit me familjarët.