Një 24 vjeçar humbi jetën më 21 maj një gurore në Vlorë si pasojë e një aksidenti në punë. I riu humbi jetën pas një incidenti në vendin e punës në guroren ku punonte në fshatin Brataj. Ndërkohë gjyshja dhe e ëma e të ndjerit kanë rrëfyer detaje për jetën e vështirë që kishte kaluar i riu ndërsa hedhin akuza ndaj punëdhënësve, duke kërkuar të zbardhet e vërteta e vdekjes së tij.
Gjyshja e tij shprehet se janë mosbesues ndaj deklaratave që janë bërë lidhur me vdekjen e Jurgenit, madje vëllai i tij është kthyer sërish në vendin e ngjarjes dhe ka fotografuar çdo gjë me detaje.
Më tej edhe nëna e të ndjerit rrëfen me lot në sy dhe shumë dhimbje se si u braktis nga bashkëshorti i saj i parë (babai i Jurgenit). Ajo tregon se djalin e ka rritur me të afërmit e saj dhe që i vogël Jurgeni ka punuar për të ndihmuar familjen e tij.
“Djali punonte 7 ditë të javës. Babai e ka braktisur Jurgenin. Te njerëzit e mi janë rritur. Derisa erdha në fshatin Brataj kur jam martuar për herë të dytë këtu në fshatin Brataj. Jetojmë në ambientet e një spitali në kushte tepër të vështira ekonomike dhe dilte në punë që të na ushqente. Jurgeni punonte vetëm dhe na ushqente të gjithëve.
E nisa atë ditë si zakonisht në punë djalin. Atë ditë e pashë që u vonua djali. U bëmë merak. Nisej në 6:30 dhe kthehej në 15:30 minuta. Atë ditë mora lajmin se djali nuk u kthye gjallë. Vdiq në gurore në mal. Gjatë ditës nuk flisnim me djalin, sepse ishte në punë dhe nuk donim ta bezdisnim. Ne duam të dimë të vërtetën për vdekjen e djalit tim”, tha nëna në emisionin “Me zemër të hapur”