Gazment Bardhi ka folur për mediat pas daljes nga SPAK ku ishte thirrur për dosjen e Xibrakës, ndërsa deklaroi se faktet e denoncuara i ka konfirmuar para agjentëve të BKH.
Ai tha se ishte thirrur si person që ka dijeni për çështjen, ndërsa u shpreh se i bënë vetëm një pyetje, i qëndron apo jo kallëzimit. Sipas Gazment Bardhit, hetimet për këtë dosje kanë rinisur pasi ai ka dorëzuar në SPAK informacionet, ku pretendon se dyshohet se në këtë çështje është i përfshirë edhe vëllai i kryeministrit.
“Pas një denoncimi nga selia e PD, gjithcka kam denoncuar për perfshirjen e Olsi Ramës në dosjen e Xibrakës. Të dhënat dhe faktet e denoncuara i konfirmova para agjentëve të BKH. Kanë rinisur hetimet për dy personat që në dosje ishin të paidentifikuar. Seanca ishte vetem një pyetje, a kisha gjë për të shtuar. U thirra si një person që kisha dijeni duke qenë se e denoncova. Kam zero interes se çfarë bën Olsi Rama apo çfarë nxitet nga i vëllai për efekt propagande. Nëse lexoni kallëzimin e Olsi Ramës nga njëra anë më akuzon mua për kallëzim të rremë dhe nga ana tjetër i thotë merreni dhe pyetini ku i ka gjetur dokumentet që ka publikuar, duke konfirmuar vërtetësinë e atyre dokumenteve. Kallëzimi ndaj tij duhet të jetë i thelluar kësaj çështje për laboratorin e Xibrakës, kësaj çështje nuk i ikën dot, as me letra Bakalli as me propagandë dite, as duke bërë viktimën.Si kryetar i Grupit të PD marr me dhjetëra kërkësa, denoncime, shqetësime”, është shprehur Bardhi.