Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Ai pritet të dëshmojë në lidhje me dosjen “Xibraka”, pas akuzave që hodhi ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.
Pak javë më parë ai publikoi disa fakte të reja, që sipas tij e lidhnin Olsi Ramën me grupin e drogës së Xibrakës. Bardhi deklaroi se Olsi Rama kishte lëvizur me mjetin e njërit prej anëtarëve të grupit të drogës, por policia nuk e kishte përfshirë në dosje.
Ai i dorëzoi provat në SPAK, çfarë bëri që Prokuroria e Posaçme të rihapte dosjen, ndërkohë që vetë Olsi Rama dhe kryeministri i vendit i kanë mohuar këto akuza.
Olsi Rama ka bërë edhe një denoncim për “kallëzim të rremë” ndaj Gazment Bardhit, teksa kallëzimi i parë u rrëzua nga gjykata, për shkak se deputeti demokrat nuk ka bërë kallëzim, por vetëm ka çuar prova shtesë në SPAK.