Aksidentohen çiklistët në Vlorë, dy prej tyre në gjendje kritike për jetën, nisen me helikopter drejt Tiranës

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aksidentin ku disa çiklistë mbetën të plagosur në aksin Kuç-Qeparo.

Mësohet se dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike për jetën dhe do të transportohen me helikopter drejt Tiranës për mjekim të specializuar.

Sipas informacioneve, çiklistët humbën kontrollin mbi drejtimin e biçikletave dhe për pasojë dolën nga rruga, gjatë itinerarit të garës të etapës së katërt të Turit të 81-të Çiklistik të Shqipërisë.

“Rreth orës 14:40, në aksin rrugor Kuç-Qeparo, gjatë itinerarit të garës të etapës së katërt të Turit të 81-të Çiklistik të Shqipërisë, 3 prej çiklistëve dyshohen se kanë humbur kontrollin mbi drejtimin e biçikletave dhe si pasojë kanë dalë nga rruga. Të tre çiklistët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”- njoftoi më herët policia në lidhje me ngjarjen.