Nga data 26 qershor do të ketë një linjë të re udhëtimesh me target nga Brindisi në Sarandë dhe anasjelltas.
Kjo linjë do të vazhdojë punën deri në fund të sezonit turistik.
Ditën e sotme është kryer edhe një udhëtim prove. Linja e re e trageteve është një bashkëpunim mes Portit Detar Sarandë dhe Agjensisë Detare Euroferries, Vlorë.
Kompania “Star Lines” me tragetin “Ionian Star” mbërriti sot në orët e para të mëngjesit nga Brindisi në një udhëtim test me 70 pasagjerë italianë. Mësohet se turistët kishin ardhur me me linjë turistike ndërsa u kthyen me linjën e re.
Drejtori i Portit Detar Sarandë, Alket Qendro tha se me anë të kësaj linje, do të vijnë një numër i shtuar i turistëve italianë, që tani kanë mundësinë të udhëtojnë drejtpërdrejtë nga Italia në Sarandë. Sipas Qendros, ky bashkëpunim do të sjellë një impakt pozitiv për turizmin në qytetin e Sarandës dhe më gjerë.