Në 18 Prill të vitit 2021, e gjithë vëmendja e shqiptarëve do të zhvendosej në Kukës, ku kryeministri Rama do të inaguronte aeroportin e dytë të vendit, i cili do të quhej “Zayed – Flatrat e Veriut”.
Avioni i parë që zbriti në aeroportin e Kukësit, ishte i mbushur me qytetarë shqiptarë që vinin nga Londra të cilët u ulën njëherë në Rinas, ku iu bashkua edhe kryeministri Rama.
Por teksa hapja u bë me bujë të madhe dhe pritshmëritë ishin të shumta, e gjitha rezultoi një dështim. Pas uljes së parë inauguruese, do të duhej të vinte data 4 Shkurt 2022 që të ulej avioni i parë i kompanisë “Wizz Air”, ku sërish në bord ishte kryeministri Rama, këtë herë i shoqëruar nga ministret Belinda Balluku dhe Elisa Spiropali.
Këtu përfundon aventura e aeroportit, që pasagjer të parë dhe të fundit pati kryeministrin Edi Rama, e që prej asaj kohe asnjë udhëtar nuk ka shkelur në të.
Në fillim të punës, ky aeroport numëronte 77 punonjës, ndërsa në fund të vitit 2023, numri i të punësuarve ishte vetëm 37. Por pavarësisht se nuk ka aktivitet fluturimesh, për vitin 2023 kompania raporti rritje të ndjeshme të të ardhurave dhe ulje të humbjeve në bilanc.
Sipas pasqyrave të audituara financiare, kompania Kukësi International Airport (KIA) e mbylli vitin 2023 me humbje para tatimit në vlerën e 101 milionë lekëve, nga gati 160 milionë lekë që kishin qenë humbjet për vitin 2022.
“Për 2023, KIA raportoi xhiro në vlerën e 330 milionë lekëve, me një rritje prej më shumë se katër herë krahasuar me vitin 2022.
Peshën kryesore në strukturën e të ardhurave e zënë ato nga duty free. Për 2023, KIA raportoi gati 280 milionë lekë të ardhura nga ky zë, 31 herë më shumë krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat nga duty free përbëjnë 85% të të ardhurave të përgjithshme të aeroportit.
Në pamje të parë, vetë ekzistenca e të ardhurave nga duty free duket e çuditshme, në kushtet kur në aeroport nuk kryhen fluturime ndërkombëtare dalëse.
Koncepti i duty free parashikon përjashtimin nga TVSH-ja dhe taksat e tjera të produkteve që shiten në zonat kufitare apo asnjanëse, sipas parimit që këto produkte blihen për t’u konsumuar jashtë vendit”, raporton Monitor.
Tashmë do të presim se çfarë do të sjellë aeroporti i Vlorës, nëse do të jetë vërtet funksional, apo një tjetër “show” me paratë e shqiptarëve.