Një burrë dhe një grua arrestohen në Tiranë, lëviznin me gjysmë kilogram kokainë me vete

Një burrë dhe një grua janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi janë kapur në flagrancë me 500 gramë kokainë.

Në pranga kanë rënë B.K, 34 vjeçe dhe A.Sh, 32 vjeç. Ky i fundit, pas verifikimeve të bëra, ka rezultuar se kushte shkelur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Njoftimi i Policisë:

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në kuadrin e një procedimi penal, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Tempulli 3”, ka finalizuar operacionin e koduar “Medusa”.

Si rezultat i tij u arrestuan shtetasit:

– A. Sh., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”;

– B. K., 34 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë iu gjetën rreth 500 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 celularë.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi A. Sh. kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.