Komisioni Hetimor për koncesionet në Shëndetësi, i është rikthyer normalitetit këtë të premte, teksa në mbledhje nuk munguan as debatet mes palëve. Nënkryetari i këtij komisioni Plarent Ndreca, kërkoi shtrirjen e planit të hetimit për kontratën e shërbimit të Sterilizimit prej vitit 2009, por opozita u shpreh kundër.
“Ne vlerësojmë që kontrata e sterilizimit duhet hetuar në gjithë kontekstin paraprak të kësaj kontrate. Komisioni duhet të ketë informacion të plotë deri në momentin që është lidhur kontrata. Kontrata është lidhur në tetor 2009. Kështu që ne mendojmë se duhet vlerësuar e gjithë panorama. Të kemi informacion para lidhjes së kontratës, në momentin e lidhjes dhe pas lidhjes së kontratës”, deklaroi Ndreca.
Deputeti Edmond Spaho u shpreh kundër një propozimi të tillë, duke thënë se do ta fuste punën e komisionit në qorrsokak.
“Ky diskutim i pavlerë, për të humbur kohën e punës së këtij komisioni. Ne si opozitë duam të hetojmë dy kontrata të hartuara, të miratuara dhe zbatuara nga qeveria e majtë pas vitit 2013. Dhe të fillosh të kërkosh para kësaj është ta fusësh punën e komisionit në qorrsokak. Së dyti, nëse jeni të interesuar për këtë çështje, ngrini një komision dhe hetoni çfarë të doni. Por ne objektin e kemi dy kontratat e vitit 2014 e këtej. Së treti dhe nga ana teknike nuk ka lidhje çështja për të cilin flisni ju për hetimin. Rasti që duan të hetojmë ne është kontratë koncensionare. Dhe së fundmi, përplasje të tilla ka patur dhe më përpara”, tha Spaho.