Bardhi e akuzon si të përfshirë te “Xibraka”, Olsi Rama e çon për herë të dytë në SPAK

Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama ka kallëzuar për herë të dytë në SPAK, kreun e grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi, për deklaratat e këtij të fundit për implikimin e tij në trafikun e drogës në laboratorin e Xibrakës.

Në kallëzimin e dytë të Olsi Ramës, ai i referohet një statusi të Gazment Bardhit në datë 8 maj, ku kreu i grupit të PD-së thotë se SPAK e ka njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve dhe se ai pritet të dëshmojë.

Rikujtojmë se Prokuroria e Posaçme kishte vendosur të mos e pranonte kallëzimin e parë të Olsi Ramës ndaj Bardhit, për shkak se ky i fundit nuk kishte bërë kallëzim në SPAK, por vetëm një kërkesë për rinisje të hetimeve për Xibrakën.

“Kërkoj regjistrimin e kallëzimit penal në ngarkim të z. Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë të parashikuar në nenin 305 të Kodit Penal. Kërkoj marrjen e akteve të materialeve të kallëzimit penal nr.68, datë 9.4.2024 të regjistruara nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal”, thuhet në kallëzimin e Olsi Ramës.

Rikujtojmë se kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi publikoi javën e kaluar dokumentin, ku njoftoi se SPAK ka rinisur hetimet për vëllanë e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama dhe përfshirjen e tij në laboratorin e drogës në Xibrakë.