“Ma bëri me dorë dhe mendova se më shau”, zbardhet dëshmia e vrasësit të efektivit në Fier: S’jam bërë pishman

Zbardhet dëshmia e 23 vjeçarit Azgan Mërnica, vrasësit të efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia më datë 13 maj në Baltëz të Fierit.

Mërnica, i cili u vetëdorëzua dje në polici, ka thënë se ka qenë duke lëvizur me makinë kur është ndeshur në efektivin Cenalia. Më tej në dëshminë e tij, ai thotë se polici ia bëri me dorë por, kujtoi se e shau dhe për këtë arsye doli jashtë makinës.

Mërnica pretendon se efektivi në këtë moment ka vënë dorën te arma dhe se e qëlloi për vdekje pasi kishte frikë se mos e vriste. Dëshmia e autorit e krimit është marrë me rezerva nga grupi hetimor dhe do të ripyetet sërish.

Por, 23 vjeçari shprehet se nuk është bërë pishman që i mori jetën policit në moshën 28 vjeçare.

Rikujtojmë se Mërnica u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme, pas negociatave edhe me familjarët e tij dhe pas më shumë se 48 orësh kontrolle intensive për kapjen e tij. Në pamjet e bëra publike në momentin e vetëdorëzimit, 23 vjeçari shfaqej i qetë dhe i buzëqeshur.