Deklaroi se kishte shkuar pa dëshirë në aktivitetin e Ramës në Athinë, jep dorëheqjen drejtori i Teatrit të Fierit

Ditën e djeshme emisioni Piranjat publikoi një kamer të fshehtë nga aktiviteti i Edi Ramës në Athinë. Në të shihej drejtori i Teatrit Bylis në Fier, i cili në konfidenca me një qytetar që e mendoi emigrant rrëfeu se ishte detyruar të shkonte aty.

Klajdi Marku reagoi menjëherë dje duke sqaruar rrethanat. Ai tha për mediat se kishte qenë pjesë e aktivitetit në Athinë, por kishin shkuar për një shfaqje. Megjithatë nuk dihet se çfarë e bindi atë të japë dorëheqjen.

“Duke marrë shkas nga një video e publikuar në rrjetet sociale, ndjej detyrimin moral për të bërë një sqarim për të gjitha mediat. Në takimin e kryeministrit të vendit në Athinë, më 12 maj është e vërtetë që kam qenë i pranishëm dhe nuk e fsheh krenarinë që u bëra pjesë e atij takimi historik, edhe pse rastësisht. Po, kam qene pjesmares ne aktivitet, por kam qene me trupen pjesmares në aktivitet në Korinth, kemi dhënë shfaqje në datë 11 maj. Në datën 12 mqs grupi donte të shikonte aktivitetin shkuam.

Sqaroj sot për të gjitha mediat dhe opinion publik, për të gjithë ata që më njohin, dhe për të gjitha ata që po përpiqen ta përdorin këtë gjë politikisht. Ajo ishte një bisedë në formë shakaje me personin e panjohur që ka kryer regjistrimin provokues dhe që kishte qëllime dashakeqësie.

Unë jam aktor dhe regjisor prej shumë vitesh në teatrin Bylis dhe me këtë post dhe me këtë detyrim nuk më lidh asnjë detyrim partiak dhe në këto kushte zhvishem nga posti i drejtorit në mënyrë administrative dhe ligjore duke bërë dorëheqjen për të ruajtur imazhin tim personal dhe të artistit,” tha Marku.