“Mbi 2600 telefona u përgjuan në 2023-in”, Kryeprokurori Çela raporton te “Ligjet”, zbulon qarkun me kriminalitetin më të lartë

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, gjatë një dëgjese në Komisionin e Ligjeve ka bërë me dije se qarku me kriminalitetin më të lartë është Vlora ndërsa me kriminalitetin më të ulët, Dibra.

Ai u shpreh se përgjatë vitit 2023, në të gjitha nivelet e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm janë krijuar sërish vakanca të përkohshme dhe të përhershme, si pasojë e procesit të vlerësimit kalimtar.

Kryeprokurori tha se në kuadër të hetimeve, gjatë vitit 2023 janë përgjuar 2675 telefona në përdorim të 2492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.

Po ashtu Çela tha se hetimet proaktive çuan në zbulimin e gjashtë rasteve të kryerjes së veprës penale të korrupsionit dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje.

“Përgjatë vitit 2023, në të gjitha nivelet e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm janë krijuar sërish vakanca të përkohshme dhe të përhershme të 38% të prokurorëve si pasojë e procesit të vlerësimit kalimtar. Megjithatë, me gjithë problemet me mungesat e theksuara në organikë, prokurorët kanë ushtruar me përgjegjshmëri kompetencat bazuar në kuadrin ligjor.

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara për 100 mijë banorë gjatë 2023, është 872. Ndërsa në 2022 ka qenë 920, pra kemi një ulje sa i përket këtij treguesi.

Në vitin 2022 përqindjen më të ulët të kriminaliteti për 100 mijë banorë e ka qarku Dibër, ndërsa më të lartë qarku Vlorë.

Veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31.7%.

Në vitin 2023 vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit”, tha Çela.