Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”/ Autori ende në arrati, dyshohet se u largua me këmbë drejt Apolonisë, 12 të shoqëruar

Azgan Mërnica, 23 vjeçari i cili një ditë më parë vrau me plumb në kokë efektivin Novruz Cenalia vijon të jetë në arrati. Kërkimet për kapjen e tij kanë dështuar ndërsa dyshohet se i riu është larguar me këmbë drejt fshatit Havaleas dhe më pas në Apoloni.

Ndërkohë mësohet se janë shoqëruar në polici 12 persona, familjarë të tij, të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë informacion në lidhje me vendndodhjen e 23 vjeçarit.

Policia ka vendosur 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione të vlefshme, që do të çojnë në kapjen e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 të ditës së hënë. Viktima dhe autori u përfshin në një konflikt të çastit, ku efektivi ishte duke shkuar në punë për të marrë shërbimin teksa ishte i veshur edhe me uniformën e policisë.

Efektivi banonte rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes dhe ka qenë duke shkuar me makinë në punë, kur është ndeshur në rrugë me autorin.

Viktima dyshohet se e ka parakaluar të riun dhe ky i fundit e qëlloi me pistoletë në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Por nuk përjashtohet që shkak i këtij krimi të rëndë të ketë qenë dhe hakmarrja. Në vitin 2019, babai i Novruz Cenalisë ka qenë pjesë e grupit që arrestuan vëllain e autorit të dyshuar të krimit të kësaj të hëne. Kiri Mërnica, vëllai i Azgan Mërnicës është ende në burg pasi akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Florjan Selmanit në fshatin Hamil.