Artan Fuga

Si çeli mitingu i Athinës epokën e mass-gjeopolitikës në Ballkan?

Koncepti i mass-gjeopolitikës më lindi në mendje sot duke ndjekur lajmet për mitingun e kryeministrit shqiptar të organizuar me emigrantë shqiptarë, ndofta të bërë qytetarë grekë, sot.

Kam lexuar media opozitare apo politikanë dhe opinionistë opozitarë që të vetmen kritikë që kanë bërë ka qenë se atje, në miting kanë vajtur plot nëpunës dhe militantë partiakë socialistë nga Shqipëria.

Kjo nuk ka pikë rëndësie! Ja po marrim se edhe gjysma ishin nga Rroskoveci. Po pastaj? Edhe sikur të gjithë të ishin këtej përsëri në mendjen e organizuesve, pavarësisht se ata nuk e formulojnë dot konceptin, ideja ka qenë të aplikojnë mass-gjeopolitikën.

Pra, gjeopolitika që përdor masat, pra presionin pozitiv ose negativ mbi një shtet fqinj, për arësye të ndryshme, me anë të masave të minoritarëve ose emigrantëve të kthyer në qytetarë në shtetin fqinj.

Mund të supozohet se është menduar që përderisa organizata minoritarësh grekë në Shqipëri mobilizohen për Fredi Beleri, përse të mos mobilizohen grupe emigrantësh në Greqi për t’i thënë shtetit grek se shiko edhe ne kemi një kartë për të luajtur te ju, janë emigrantët shqiptarë që tani pas tridhjet vjetësh janë bërë qytetarë te ju!

Ju keni “Kal” grupe minoritarësh, ne kemi “Kal” grupe emigrantësh!!!

+++

Duhet ta dimë se kjo është një formë e re e gjeopolitikës që nisur nga sot pasdite është bërë precedent dhe ka hapur një erë të re në marrëdhëniet midis kombeve dhe shteteve në Balkan. Përdorimi i masave etnike ose emigrante për të influencuar nga brenda politikat e shtetit fqinj ose për t’iu kundërpërgjigjur presioneve të tij.

Se çfarë do të sjellë kjo gjë, le ta shohim në vitet që vijnë, por sipari i mass-gjeopolitikës u hap sot pasdite në Ballkan.

Njihet influencimi me anë të rrjeteve sociale. Amerika, Kina, Rusia kanë disa vite që akuzohen mes tyre për këtë gjë. Njihet influencimi me anë të kulturës, filmave, mediave masive. Njihet edhe përpjekja që bëhet duke influencuar politikisht ose me anë joshjeve materiale dhe financiare masa të popullsisë në shtetet fqinje. Njihet thirrja që u bëhet grupeve etnike për ta orientuar votën e tyre në shtetet fqinje. E ka bërë politika shqiptare në drejtim të Malit të Zi, pavarësisht që dështoi. Edhe ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Por, sot u aplikua mass-gjeopolitika, pra strategjia për t’i treguar shtetit fqinj se mund të ndikohet politika e tij me anë të votuesve me qytetari të dyfishtë, me aktivitete masive politike në rrugë dhe sheshe.

Jo më kot folësi u tha sot pjesëmarrësve në miting se unë po vij për vizitë te ju, dhe se ju jeni këtu zotër në shtëpinë tuaj! Iu drejtohet pra si shqiptarë, por “zotër” në Greqi!

Përse u bë e mundur kjo gjë?

E para, kjo është finalja e një procedi tre dekadash. Emigrantët shqiptarë që kaluan kufirin edhe ilegalisht me qindra mijëra sot janë në një pjesë të madhe qytetarë grekë, falë pritjes të shoqërisë dhe shtetit grek. Kanë vërtet peshë të madhe atje.

Së dyti, vendet e Ballkanit janë ngjitur me njeri tjetrit dhe me rrugët tani për pak orë mund të bredhësh nja pesë a gjashtë shtete brenda ditës.

Së treti sepse rrjetet sociale e kanë lehtësuar shumë komunikimin.

Së katëri se vendet e Ballkanit sado të jenë ose mos jenë vende demokratike, në çdo rast janë forma rregjimesh që kanë nevojë të respektojnë një fasadë zgjedhore. Pra, cdo votë ndikon!

Masa qytetare është bërë një forcë ndikuese potencialisht.

Kjo është mass-gjeopolitika që më erdhi në mendje si koncept i ri sot pasdite.

+++

Eshtë një teknikë e re ndikimi politik. E përdori Erdogani me mitingjet në Gjermani me emigrantët turq, por sigurisht në përmasa të tjera dhe për synime të tjera sepse Gjermani është Gjermani.

Tani të mendojmë se u hap era e mass – gjeopolitikës dhe në vitet në vazhdim të shohim Vuçiçin të mbledhë serbët e Malit të Zi në mitingje atje duke i ndikuar për qëllimet e veta politike, qoftë edhe për të treguar forcë ndikimi. Imagjinoni zotin Kurti në mitingje në komunat me shqiptarë në Serbi. Imagjinoni kryeministrin bullgar duke bërë mitingje me ata që e njohin veten si bullgarë në Maqedoninë e Veriut apo edhe në Gorë.

Imagjinoni kryeministrin maqedonas të mbledhë në miting maqedonasit në Prespë a gjithandej në Shqipëri, kryeministrin e Malit të Zi me malazes në Shkodër, Micotaqisin me elektoratin pro Omonias në Himarë, etj., dhe do të kemi një lesh e li ballkanik ku nuk do ta marrë më vesh i pari të dytin.

Ndikimi nga brenda me anë të votës, forcës së numrit, mitingjeve si edhe propagandës nga brenda, një mass-propagande.

Imagjinoni pastaj se çfarë do të bëhej me ndikimet e jashtme në Evropë dhe në Amerikë, sikur Presidenti i Meksikës të bënte mitingje në vendin e madh fqinj, sikur presidenti gjerman të bënte mitingje me gjermanofonë në Strazburg, etj.

Do të kishim ndikimin e vendeve fqinje me anë të lëvizjeve në rrugë ose aktiviteteve politike në sheshet publike të ardhura nga fqinjët!

+++

Mund të jenë politika të suksesshme. Mundet që çdo shtet do të kuptojë kështu se duhet të përmbahet sepse brenda vetes ka dobësi që mund të përdoren prej fqinjëve, prandaj kujdes me fqinjët!

Mundet!

Por, do të ketë edhe risqe të mëdha.

Minoritetet ose grupet e emigrantëve apo popullsitë e ardhura dhe të integruara rishtazi rrezikojnë të shihen sot e tutje si Kal Troje, ose si kolonë e gjashtë në vendin ku kanë ardhur të jetojnë.

Mund të acarohen dhe të bëhen shumë të theksuara dasitë etniko-fetare brenda cdo vendi ballkanik duke përfshirë edhe vendin tonë.

E gjitha kjo mund ta përkeqësojë klimën nacionaliste në Ballkan, midis shteteve por edhe midis segmenteve të popullsisë së çdo vendi.

A është gati Ballkani të injorojë kufijtë mes shteteve duke i zëvendësuar ato me kufij identitarë etnikë në cdo qytet, krahinë a fshat? Kur edhe Evropa i ruan qartë mosndërhyrjet nga një shtet te tjetri.

Nuk ka rëndësi se mitingjet drejtohen nga fjalë të ëmbëla bashkëpunimi. Sot bashkëpunim njëherë tjetrër tensioni, rëndësi ka që sipari u hap! Është një shtrirje dore, por nga pozita force! Erdha te ju për vizitë o shqiptarë atje ku ju jeni zot shtëpie, në Greqi!

Një hap e ndan mass-gjeopolitikën nga populizmi gjeopolitik sepse sidomos te emigrantët e çdo vendi ka edhe një mllef latent ose të hapur për shoqërinë që i ka hapur dyert, për shkak të vështirësive që atje kanë kaluar!

Jo më kot u dëgjua : Nuk jeni më shërbëtorë të këtyre, por zotër!

Sipari u hap!

Mass-gjeopolitika u çel!

Na qoftë për hajër!

Te ngjashme