OSBE thirrje institucioneve të drejtësisë: Çdo rast korrupsioni brenda sistemit ju kthen prapa nëse nuk ndëshkohet

“Çdo rast korrupsioni brenda sistemit ju kthen prapa nëse nuk ndëshkohet”. Ky ka qenë mesazhi i kryetares në Detyrë të Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory ndaj institucioneve të drejtësisë në vend.

Pasztory po ashtu tha se duhen kundërshtuar përpjekjet për të minuar besimin në institucione nga SPAK deri tek gjykatat e shkallës së parë.

Rikutojmë se më herët, i ngarkuari me punë i SHBA-ve në Tiranë Davis Wisner nënvizoi se sistemi i drejtësisë përballet me disa sfida, mes tyre edhe presionin politik.

“Çdo rast korrupsioni brenda sistemit, dhe po, ka të tillë, ju kthen prapa, ashtu si edhe çdo rast korrupsioni që nuk ndëshkohet, dhe po, ka të tillë. Ju, profesionistët e drejtësisë, jeni flamurtarët e besueshmërisë së sistemit tuaj të drejtësisë dhe bashkë me të edhe të demokracisë suaj. Ju mbani një përgjegjësi të madhe, ndërsa ne vetëm sa mund t’ju ndihmojmë që ta mbani këtë përgjegjësi me krenari dhe sa më mirë që të jetë e mundur. Ne duhet që të promovojmë besimin dhe nuk duhet që të kundërshtojmë përpjekjet për të minuar besimin në institucionet tuaja nga SPAK deri tek gjykatat e shkallës së parë”- u shpreh ajo.