Ditari historik, 79 vite nga Tragjëdia Çame, si u dokumentua genocidi nga britanikët

Tragjëdia dhe genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë i vitit 1944 është një ngjarje që mohohet ende nga Shteti Grek. Vrasjet, largimet me dhunë nga trojet historike, marrja e çdo pasurie dhe prone, mbetet ende një çështje e pazgjidhur në kushtet kur pala greke nuk pranon asnjë përgjegjësi.

Arsyeja themelore e mohimit grek mbetet, sipas tyre, mungesa e fakteve. Genocidi ndaj Çamërisë mohohet për arsye etnike dhe pranohen vetëm episode për shkak të Luftës së Dytë Botërore.

Por pavarësisht këtij narracioni mohues, Tragjëdia Çame është e dokumentuar. Jo thjeshtë e vetëm përmes dëshmive të mbijetuarve, por mbi të gjitha përmes një dokumentacioni të rrallë të kohës të hartuar nga ushtria aleate britanike, e cila hetoi në fshehtësi të plotë në vitin 1944 çfarë ndodhi me shqiptarët e Çamërisë.

Dokumentacioni i ushtrisë Britanike fle ende në arkivat e njohura të Londrës dhe mund të ishte shumë i vlefshëm nëse Shqipëria do hapte një proces ndërkombëtar ligjor që do detyronte Greqinë të pranonte përgjegjësinë e saj; njohjen e tragjëdisë Çame, respektimin e të gjithë detyrimeve të të drejtave të njeriut, dhënia e një ndjese dhe lejimin e shqiptarëve të Çamërisë të ktheheshin në trojet e tyre shekullore.

Disa dosje në Arkivin Britanik përmbajnë raportime nga terreni të disa oficerëve britanike dhe analiza të tjera të cilat hehdin dritë mbi tëbimin dhe vrasjen e Shqiptarëve të Çamërisë. Pozicionimi i forcave të Napolon Zervës në zonën bregdetare ngjalli dyshime dhe britanikët vëzhguan operacionet ushtarake të tyre, në kushtet kur forcat gjermane nuk ishin larguar ende nga Greqia.

Një dosje prej dhjetëra faqesh e vitit 1945, e hartuar nga Ministria e Jashtme Britanike, i dedikohet dëbimit të shqiptarëve dhe përgjegjësisë së çdo pale, madje edhe të vetë britanikëve dhe rolit të tyre në këtë dëbim.

Dosja me kodin HS 5/91 përmban korrespondencat e kohës së oficerëve britanikë në terren, me komandën e tyre në Bari të Italisë, si dhe disa raporte interesante.

Në një prej raporteve të kësaj dosjeje, konfirmohet se shqiptarët ishin paralajmëruar për tragjedinë dhe masakrat që po i prisnin. Sipas tyre, një ditë para nisjes së sulmeve së Zervës, ishin vetë gjermanët që paralajmëruan minoritetin shqiptar çam të largohet, duke u dhënë madje 40 ditë kohë. Për shkak të arsyeve taktike ushtarake, gjermanët nuk vepruan mbi trupat e Zervës.

“Në qershor të vitit 1944, trupat e Zervës sulmuan dhe morën zonat e Paramithisë dhe Pargës, duke kërcënuar kështu të gjithë minoritetin shqiptar nga Margariti në perëndim në bregdet, dhe në veri në rrugën Janinë-Igumenicë. Për arsye taktike, gjermanët vendosën që këto zona të mos i rimarrin dhe paralajmëruan minoritetin shqiptar të vendoset në veri të rrugës Janinë- Igumenicë, në një periudhë prej 40 ditësh, duke nisur nga data 26 qershor,1944. Ata e ndoqën këtë këshillë dhe trupat e Zervës ecën në gjurmët e tyre. I gjithë minoriteti shqiptar në këto zona, me gra e fëmijë, bashkë me gjënë e gjallë, shkuan drejt veriut për në Shqipëri, ndërsa burrat qëndruan rreth zonës së Filatit, për të luftuar me grekët. Ka shumë mundësi që këta minoritarë kanë luftuar kundra Zervës bashkë me gjermanët”, thuhet në një raport britanik të 21 shtatorit, 1944, i hartuar nga kapiteni britanik Mind.

Ai raportoi më tej se pozita e shqiptarëve të Çamërisë do të përkeqësohet, për shkak se një pjesë e madhe e tyre ishin bashkuar me grupet komuniste të EAM-it në Greqi. Trupat e nacionalistit grek, Napolon Zerva dhe EAM kishin nisur tashmë armiqësinë mes tyre, që shkoi deri në një luftë civile disavjeçare në Greqi.

Ndonëse komunistët shqiptarë të LNÇ qëndruan mjaft pasivë mbi tragjedinë çame, ata u përballën me një incident tepër të fortë me trupat e Napolon Zervës, ku u përfshi personalisht edhe Enver Hoxha.

Sipas britanikëve, në datën 4 tetor,1944, Enver Hoxha thirri në një takim urgjent të gjithë misionarët ushtarakë të huaj në Shqipëri, për t’u raportuar se trupat e Zervës kishin sulmuar partizanët shqiptarë në afërsi të kufirit në Konispol, duke lënë të vrarë dy partizanë shqiptarë e duke plagosur 7 të tjerë. Sipas Hoxhës, Zerva kishte mbështetjen e gjermanëve në këtë aksion.

“Enver Hoxha thirri sot në një takim të gjithë krerët e misioneve të huaja dhe dha këtë deklarim: Në datat 29 dhe 30 shtator, forcat greke në afërsi të Konispolit dhe pranë kufirit sulmuan forcat partizane me një grup të përbërë me forca të Zervës dhe gjermanë, të cilët kaluan kufirin për në Shqipëri, 2 partizanë shqiptarë u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën. Me urdhrin tim, forcat partizane do të ndjekin Zervën deri në Greqi, pasi aksioni i tyre konsiderohet si një agresion i hapur ndaj shqiptarëve, të cilët nuk kanë dëshirë të përfshihen me vendet e tjera”, raportoi për komandën e tij më 4 tetor, 1944 oficeri britanik Smith.

Por, britanikët paralajmëruan ashpër Enver Hoxhën që të mos tentonte të kalonte kufirin me Greqinë. Duket se ata ia arritën ta bindin Hoxhën, nisur edhe nga fakti se çdo acarim situate nuk do t’i vlente aspak Hoxhës. Nga ana tjetër, britanikët paralajmëruan edhe Zervën të mos vepronte në kufirin me Shqipërinë.

Sipas kreut ushtarak të komandës britanike në Bari, Zerva sulmoi zonat e shqiptarëve në Çamëri me justifikimin që ai të kalonte në bregdet për më shumë furnizime, por po ashtu edhe t’u merrte shqiptarëve ushqime e mall. Por, britanikët nuk dyshuan aspak se qëllimi i Zervës ishte vetëm dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre.

“Zerva dëshironte të shkonte me ambiciet irredentiste greke, për të pastruar të gjitha tokat greke nga shqiptarët. Nuk është shumë e qartë se sa e drejtë ishte arsyeja e parë, e cila u përdor si justifikim nga Zerva për të bërë sulmin, që u cilësua si çështja më e rëndësishme nga Zerva. Por nisur nga akuzat se po sulmohen grekët që jetojnë në Jugun e Shqipërisë dhe dëshira e tij e shprehur që të shkojë në Veri, përtej kufirit, në fakt tregon se arsyeja e vërtetë dhe më e rëndësishmja ishte e arsyeja e fundit (përzënia e shqiptarëve). Për më tepër, minoriteti shqiptar përbuzet nga Zerva për më shumë se një arsye, dhe bashkëpunimi i tyre me EAM/ELAS i ka dhënë atij një justifikim më shumë për të goditur EAM/ELAS, sepse tashmë ai mund t’i akuzojë ata se bashkëpunojnë me minoritetin shqiptar “gjermanofil”, raportoi për Londrën komandanti britanik.

Por në mënyrë të hapur, ai pranoi edhe përgjegjësinë e palës britanike në tragjedinë çame. Sipas tij, misionet britanike ndihmuan shqiptarët të largoheshin sa më parë nga shtëpitë e tyre, për t’i shpëtuar dhunës. Sipas tyre, kjo u bë për qëllime humanitare.

“Misionet britanike haptazi ndihmuan në evakuimin e minoritetit shqiptar; ai ishte një akt humanitar, për të parandaluar keqtrajtimin e tyre në Greqi”, raportoi oficeri lt. kolonel Deakin.

Gjatë vjeshtës së vitit 1944, një kapiten i ushtrisë britanike, Harlou, udhëtoi në jug të Shqipërisë për të mbledhur informacion në lidhje me shqetësimet për dëbimin e shqiptarëve nga Çamëria. Në datën 13 dhjetor 1944, komanda ushtarake e britanikëve në Bari të Italisë dërgoi drejt Londrës përfundimet dhe të dhënat e raportit të kapitenit britanik, të cilat më pas gjenden pothuajse në çdo raport zyrtar të tyre për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ky raport i dhjetorit 1944, duket se ishte mjaft i rëndësishëm për britanikët. 


Siç tregon ky raport, kapiteni Harloi udhëtoi në jug të Shqipërisë me një përkthyes që ai e vlerësoi si progrek. Ai kishte për qëllim të shikonte nga afër gjendjen e të larguarve 
shqiptarë nga Greqia, si dhe të hetonte akuzat e palës greke, sipas të cilave shqiptarët po keqtrajtonin minoritetin grek në Shqipëri. Të dhënat e këtij raporti janë mjaft interesante.

Kështu, kapiteni britanik raportoi edhe shifra reale të tragjedisë çame, duke i marrë nga terreni dhe informacionin që kishin mbledhur agjentët probritanikë. Sipas tij, ishin mbi 18 mijë shqiptarë të larguar nga Greqia dhe kishin humbur jetën rreth 800 prej tyre.

“Shumë prej tyre janë lëvizur dhe i kanë çuar më në veri, madje edhe më larg Tiranës. Për shkak të situatës ekonomike, këta refugjatë po vdesin dita-ditës (me një kalkulim, mesatarisht vdesin 4 veta në ditë) dhe partizanët shqiptarë po konsiderojnë mundësinë për t’i detyruar ata t’i kthejnë edhe një herë në Greqi. Kur gjermanët u tërhoqën në muajin shtator, forcat e Zervës patën mundësinë të hakmerren në shkallë të gjerë, duke vrarë rreth 800 shqiptarë. Kjo shifër, rreth 800 vetë, është cituar nga shumë burime”, thuhet në raport, më 13 dhjetor 1944.

Ai shton më tej se minoriteti shqiptar nuk trajtohej mirë nga partizanët shqiptarë-komunistë, pasi i shihnin me dyshim. “Është e mundshme që partizanët shqiptarë nuk kanë besim te minoriteti shqiptar i Greqisë, pasi kanë frikë se mes tyre ka shumë njerëz që janë progrekë dhe me këtë rast kanë penetruar në Shqipëri, me qëllim për të parapërgatitur dhe avancuar një pushtim grek”, raportoi Harlou.

Kapiteni Harlou shënoi në raportin e tij se përkthyesi i tij ishte progrek, por ai nuk i gjeti dot asnjë shembull konkret dhe real të reprezaljeve që ishin akuzuar shqiptarët ndaj minoritetit grek që jeton në jug të Shqipërisë.

Gjithsesi, ai raportoi disa të dhëna interesante. Të rinj të minoritetit grek që shkonin në Greqi për t’u bërë ushtarë të Zervës, personi që kreu masakrat ndaj shqiptarëve. Ushtaraku britanik raportoi se shumë prej tyre ishin nga radhët e partizanëve shqiptarë dhe, nisur nga ky fakt, shumë prej tyre u bënë shembull. Atyre iu dogj shtëpia nga partizanët shqiptarë, si paralajmërim dhe shenjë disipline. Sipas tij, në 3 muaj, rreth më shumë se 600 të rinj grekë shkuan në jug, kaluan kufirin dhe u bashkuan me forcat e Zervës në afërsi të Janinës.

Në lidhje me këtë çështje, kapiteni Harlou thotë se partizanët shqiptarë i cilësojnë si dezertime nga ushtria e tyre dhe sugjeron që këta të rinj e kanë justifikuar shkuarjen e tyre në Greqi, duke thënë se janë persekutuar. Nga këto ndëshkime, janë prekur rreth 250 familje të “dezertorëve” dhe partizanët përdorin një ndëshkim të njohur e të praktikuar nga të gjitha regjimet në Shqipëri ndër vite, siç është djegia e shtëpive dhe sekuestrimi i të gjithë mallit dhe pasurisë. Këto lloj reprezaljesh u ndërmorën në disa fshatra në jug, në linjën mes Sarandës, Delvinës dhe Gjirokastrës.

“Kryesisht janë 2 ose 3 raste për çdo fshat”, thuhet në raportin e tij. Kapiteti Harlou raportoi se nuk ka pasur prova që partizanë shqiptarë kanë përzënë grekët për në veri të Greqisë.

Erald Kapri