Kundër projektit të dhëndrit të Trump, në Serbi opozita kundërshton ndërtimet në ish shtabin e ushtrisë

Një grup opozitar në Serbi ka nisur një peticion kundër një projekti ndërtimesh që do të financohej nga kompania e dhëndrit të ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner.

Projekti parashikohet të ndërtohet  në ish selinë e shtabit të ushtrisë serbe, që u shkatërrua në fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Më herët gjatë këtij muaji, Kushner konfirmoi raportet se kompania e tij planifikon të financojë një projekt në qendër të Beogradit, që përfshinë një hotel, një kompleks apartamentesh luksoze si dhe hapësira për zyra dhe dyqane.

Peticioni nisi të hënën dhe deri dje ishin mbledhur të paktën 10 mijë firma, që i kërkonin qeverisë së Serbisë të respektojë ligjin, i cili thotë se ndërtesa mund t’i kthehet vetëm funksionit të saj fillestar. Organizatorët thanë se aty duhet të ngrihet Muzeu i Historisë Serbe.

Zyrtarë pro Trump të qeverisë në Serbi e kanë mirëpritur projektin, por opozita është shprehur kundër tij.

Për shumëkënd, ndërtesa e bombarduar e komandës së ushtrisë serbe është një simbol i fuqishëm i rezistencës së Serbisë kundër atij që ata e quajnë, agresion të NATO-s, 25 vjet më parë.

Një grup protestuesish me flamuj serbë dhe rusë u mblodh të dielën para kësaj ndërtese në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s, që i dhanë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

Kujtojmë se edhe Shqipëria ka marrë një projekt investimi nga kompania e Kushner, Affinity Partners, për ta shndërruar një ish bazë ushtarake në ishullin e Sazanit në detin Adriatik, në një qendër pushimesh.