Përfundon seanca e radhës për “Gërdecin”, paraqitet vetëm biznesmeni Mihal Delijorgji

Ka përfunduar seanca e radhës për Gërdecin, ku u paraqit vetëm biznesmeni Mihal Delijorgji, ish administrator i “Albademil”, shoqërisë që demontonte municionet në Gërdec.

Ai nuk ka pranuar të dëshmojë për tragjedinë. Biznesmeni kërkoi të lexoheshin deklarimet e mëparshme pasi ka qenë bashkë i pandehur.

Prokuroria dhe avokatët kërkuan të administrohen në dosje dëshmitë që ka dhënë si person i pandehur dhe nën hetim.

Anjola Agolli, Denis Hajdari dhe Luan Hoxha nuk u paraqitën.

Anjola Agolli ka qenë sekretare e Aldo Bumçit. Denis Hajdari ish funksionar, për të cilin prokuroria urdhëroi që të bëhet shoqërim i detyruar. Ndërsa për Hoxhën prokuroria njoftoi se po vijon kërkimi.

Gjatë seancës ish ministri Fatmir Mediu i kërkoi gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë në lidhje me mënyrën e marrjes së dëshmisë së shtetasve në SHBA, duke theksuar edhe njëherë se duhet të bëhet me videokonferencë.

Gjykata tha se deri  tani është  në  fuqi vendimi që  dëshmia  e tyre të  bëhët  me letërporosi. Seanca e radhës  u caktua me 9 prill në  orën  9:00.

Kujtojmë se në këtë proces ish ministri Fatmir Mediu po hetohet për shpërdorim detyre në lidhje me vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve pas shpërthimit që ndodhi në Gërdec më 15 mars të vitit 2008. Prokuroria e Posaçme po heton edhe në përfshirjen e personave të tjerë të përfshirë në demontimin e armëve.

Në seancën e 13 marsit, Fatmir Mediu tha se çështja po përdoret politikisht. Ai nënvizoi se ka kërkuar të merret në pyetje në fund të procesit gjyqësor, pasi kështu do t’i shërbehej më mirë së vërtetës.

“Mendoj që është në shërbim të së vërtetës që unë të pyetem në fund të procesit, sepse mendoj që është mirë që gjithsecili të dijë rrethanat dhe faktet e dëshmive, por njëkohësisht edhe argumentet shkresorë. Kjo e bën më të plotë dhe më të qartë raportin tim me procesin”, tha Mediu.