Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vendosjen e tritolit një ditë më parë në banesën e shtetases Frida Sala në Shkodër.
Prokuroria dyshon se ngjarja nuk ka të bëjë me punonjësen e doganës së Hanit të Hotit por me djalin e saj.
Kështu prokurorët po hetojnë pistën e konkurencës së basteve online. Dori sala dyshohet se është menaxheri i serverave të një kompanie bastesh.
Djali i 62 vjeçares ka mohuar një fakt të tillë duke thënë se puna e vetme është ajo në një kompani internet. Ai ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët. “E vetmja punë që bëj është ajo në një kompani internet dhe nuk kam lidhje me asgjë tjetër. Nuk e di se kush mund të jenë autorët pasi nuk kam asnjë konflikt dhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarje”, ka deklaruar Dori Sala.
Megjithatë prokuroria dyshon se ky sulm ndaj tij është një paralajmërim për të mos u marrë më me bastet online.
Ngjarja ndodhi rreth orës 3:40 të një dite më parë kur tritoli shpërtheu në derën e shtëpisë të familjes Sala. Kjo sasi tritoli shkaktoi vetëm dëme materiale ndërkohë që në banesë ndodhej e gjithë familja, shtetasja Frida Sala, bashkë me djalin Dori Sala dhe gruan e fëmijët e këtij të fundit.
Nga kamerat policia nuk ka arritur që ta identifikojë autorin deri më tani për shkak të skafandës që mbante në kokë.
62 vjeçarja Frida Sala e cila punon në doganën e Hanit të Hotit tek peshorja duke peshuar mallrat që hynë e dalin në atë doganë ka deklaruar se as ajo nuk ka konflikte me askend ndërsa për prokurorinë puna në doganë nuk qëndron si pistë hetimi sepse për pak muaj kjo shtetase del në pension.