Një emër i njohur i drejtësisë së vjetër, ish-gjyqtari Gjin Gjoni, do t’i futet politikës. Ai do të garojë për kreun e Partisë Demokratike të Rithemelimit në Lezhë, pasi pak ditë më parë u njoftua nisja e garës për të zgjedhur 19 kryetarët e rinj të degëve.
Gjin Gjoni dha dorëheqjen si gjyqtar në 17 Korrik 2020, pa iu nënshtruar procesit të Vettingut, i akuzuar nga mazhoranca dhe ndërkombëtarët si një nga anëtarët më të korruptuar të sistemit të drejtësisë.
Si u kthye Gjin Gjoni në simbol të drejtësisë së korruptuar?
Gjin Gjoni është një nga gjyqtarët më të pasur të drejtësisë shqiptare, pavarësisht s enë deklarimin e parë të pasurisë në vitin 2003, ai rezultonte i pastrehë. Por puna si gjyqtar do t’i siguronte atij të ardhura të shumta dhe 9 vite më vonë ai do të deklaronte së bashku me bashkëshorten Elona Çaushi, blerjen e një rezidence me vlerë 700 mijë euro si dhe një dyqan me vlerë 150 mijë euro.
Në vitin 2011, deklarojnë blerje apartamenti në Tiranë me vlerë 53 200 000 lekë ose rreth 500 mijë USD etj. Gjin Gjoni ka deklaruar se pasuria e tij buron nga bashkëshortja, Elona Çaushi, pasi është e pasur. Por, në vitin 2014, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i kallëzoi penalisht Gjin Gjonin dhe Elona Çaushit, me pretendimin se deri në atë kohë ata nuk justifikonin një pasuri me vlerë 2.4 milionë euro, ndërsa i akuzoi për falsifikim dokumentesh, pastrim parash, mashtrim me pasurinë etj.
Kryeministri Edi Rama e cilësonte rastin e Gjin Gjonit si fenomenal, pasi emri i tij njihej “nga Europa në NATO dhe nga NATO në Europë”.
“Po e them copë, sepse jam ndier i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër? Ç’arsye ka një zyrtar i lartë të dijë emrin Gjin Gjoni në anglisht? Dhe ç’arsye ka një aleancë e tërë, që shtrihet nga Europa në NATO dhe nga NATO në Europë që të dijë që është një Gjin Gjoni dhe ta shtrojnë këtë problem me të gjitha autoritetet që takojnë.
Unë s’kam asnjë gjë me këtë person dhe nuk është personale, se të ishte do ishte 1/100 e së keqes, por është fenomenale. Dhe në këtë vend ku ka shumë martirë, që s’janë vënë në vendin e tyre, Gjin Gjoni bën martirin, se po e luftojnë për arsye politike. Është fenomenale. Dhe është vetëm një nga mijëra raste, që ne nuk i dimë dhe pastaj na sjellin pasoja vdekjen në rrugë të njerëzve të pafajshëm”, deklaronte Rama.
Jo vetëm pasuria, por edhe shkollimi…
Mënyra se si u pasurua nuk ka qenë e vetmja enigmë në karrierën e Gjin Gjonit, por edhe shkollimi i tij mbetet një mister më vete.
Ai ëhstë arsimuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, ndërsa në vitin 1993 ka filluar punë si ndihmës i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pa kryer arsimin përkatës. Por për sa i përket fakultetit, Gjin Gjoni ka deklaruar se ka bërë vetëm një vit shkollë të lartë për jurist, pavarësisht se duhen 4 vite për ta kryer atë shkollë.
Edhe në CV-në e tij në vitin 2013, kur u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ai shkruante se ishte diplomuar brenda 1 viti, ndërsa kishte kryer edhe një Master në “E drejta e Biznesi Evropian”, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, gjatë vitit 2010-2011.
Karriera e Gjin Gjonit
Pavarësisht se pa arsimin përkatës dhe me probleme të shumta në deklarimin e pasurisë, Gjin Gjoni arriti t’i ngjisë shkallët ekarrierës me hapa të shpejtë.
Në vitin 1994 nga ndihmës gjyqtar bëhet gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2009, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në vitin 2013 zgjidhet anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pra bëhet pjesë e qeverisjes së drejtësisë. Po në vitin 2013, ishte zëvendëskryetar i Konferencës Gjyqësore Kombëtare si dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Në vitin 2015, Gjin Gjoni zgjidhet president i Këshillave Gjyqësorë të Ballkanit. Në vitin 2016 zgjidhet përmes një shorti të dyshimtë anëtar i Kolegjit Zgjedhor.