Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka treguar vendosmërinë e tij për të nisur një ofensivë në Rafah, duke sfiduar kritikat e ndërkombëtarëve. Qyteti po strehon rreth 1.5 milionë palestinezë nga pjesë të tjera të Gazës që kërkojnë strehim, pasi është zona e vetme e sigurt në Gaza.
Deklaratat e kryeministrit vijnë pasi kancelari gjerman, në një udhëtim në Lindjen e Mesme, ritheksoi kundërshtimin e tij ndaj planit. Por Netanyahu tha se “asnjë presion ndërkombëtar nuk do ta ndalojë Izraelin” të arrijë të gjitha qëllimet e tij të luftës.
“Nëse e ndalojmë luftën tani përpara se të arrijmë të gjitha qëllimet e saj, nënkupton se Izraeli e ka humbur luftën dhe ne nuk do ta lejojmë këtë,” tha zoti Netanyahu në një mbledhje të kabinetit të tij.
Ai tha se Izraeli duhet të jetë në gjendje të vazhdojë luftën e tij, me synimin për të eliminuar Hamasin, për të liruar të gjithë pengjet dhe për të siguruar që Gaza “të mos përbëjë më një kërcënim”.
“Për ta bërë këtë, ne do të operojmë edhe në Rafah”, tha ai. Netanyahu tha se ofensiva në qytet në skajin jugor të Rripit të Gazës “do të ndodhë”, duke e bërë fakt të kryer dhe do të zgjasë “disa javë”.
Ai gjithashtu sulmoi kritikët e tij, duke u thënë atyre: “A është kujtesa juaj kaq e shkurtër? Kaq shpejt harruat [7 tetorin], masakrën më të keqe të kryer kundër hebrenjve që nga Holokausti. Ato sulme, në të cilat u vranë rreth 1200 njerëz dhe më shumë se 250 u morën peng nga Izraeli, ndezën luftën aktuale”.
Ndërkohë Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se më shumë se 31,400 palestinezë janë vrarë nga fillimi i luftës.
Udhëheqësi izraelit u takua të dielën me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ky i fundit tha se ai foli me zotin Netanyahu për nevojën për t’u siguruar civilëve në Gaza “furnizime gjithëpërfshirëse ndihme humanitare”. Ai theksoi se kushtet për shpërndarjen e ndihmës “duhet të përmirësohen urgjentisht dhe masivisht”.
Gjithashtu kancelari theksoi se një marrëveshje për izraelitët e marrë peng nga Hamasi më 7 tetor ishte e nevojshme së bashku me një armëpushim afatgjatë në Gaza. Udhëheqësi gjerman tregoi se i kërkoi homologut të tij izraelit se një “logjikë humanitare” duhet të konsiderohet përpara një ofensive tokësore në Rafah.
Netanyahu tha se nuk do ta mbajë popullsinë të bllokuar, duke theksuar se kush të dojë mund të largohet nga vendi.
Planet e Izraelit janë kritikuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, pasi OKB dhe SHBA paralajmëruan gjithashtu se një sulm në shkallë të plotë në Rafah mund të ishte katastrofik.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit të OKB-së, të premten i bëri thirrje Izraelit “në emër të njerëzimit” që të mos nisë një sulm të tillë në qytetin më jugor të Gazës.
Shtetet e Bashkuara thonë se nuk kanë parë ende një plan të detajuar izraelit për Rafahun dhe presidenti Joe Biden e ka paralajmëruar Izraelin kundër zgjerimit të pushtimit të tij në qytet, duke e quajtur atë një “vijë të kuqe”.
Marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA-së po bëhen gjithnjë e më të komplikuara.
Presidenti Biden ka mbështetur tani denoncimin e jashtëzakonshëm nga Chuck Schumer, lideri i shumicës në Senat, i cili në fakt bëri thirrje për zëvendësimin e zotit Netanyahu.
Kryeministri i Izraelit beson se ai ka ende lobin amerikan pro-izraelit që e mbështet.
Megjithatë, rreziku është se ndërsa zgjedhjet në SHBA po afrohen, administrata Biden mund të vendosë të qetësojë amerikanët e frustruar nga mbështetja e saj për Izraelin dhe të fillojë të kufizojë ndihmën ushtarake.
Megjithatë, zyra e Netanyahut miratoi planet për një operacion ushtarak në Rafah të premten, duke shtuar se ushtria po përgatitej për evakuimin e civilëve.
BBC shkruan se Netanyahu flet ashpër për Rafahun për të rritur presionin mbi Hamasin përpara bisedimeve të reja për armëpushim në Doha, ku Izraeli do të dërgojë një delegacion. Dhe ai e di se kur të përfundojë lufta, mund të marrë fund edhe karriera e tij politike.
