Sondazhi i Barometrit, tregues për votën e zgjedhjeve të vitit 2025?

Barometri në Euronews Albania publikoi rezultatet e sondazhit në lidhje me pëlqyeshmërinë e liderëve të politikës shqiptare.

Në vendin e parë vijon të qëndrojë kryeministri Edi Rama, i cili ka humbur disa pikë në krahasim me sondazhin e fundit të zhvilluar në muajin Dhjetor të vitit të kaluar. Në vendin e dytë renditet Adriatik Lapaj, drejtuesi i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, i cili është mjaft i ndjekur edhe në rrjetet sociale.

Në vendin e tretë ndodhet Agron Shehaj, i cili pas largimit nga Partia Demokratike dhe fillimit të krijimit të një partie të re, ka fituar pëlqimin e 29% të të anketuarve. Pas tij qëndron ish-kryeministri Sali Berisha, pëlqyeshmëria për të cilin është rritur në krahasim me Dhjetorin.

Më pas vijnë 2 liderë të rinj, Arlind Qori i “Lëvizja Bashkë” dhe Endri Shabani i “Nisma Thurje”. Vetëm 2 vendet e fundit për Lulzim Bashën dhe Ilir Metën, me kreun e PD-së së vulës që ka humbur më shumë se 11 pikë në krahasim me sondazhin e fundit.

A mund të jetë ky sondazh tregues për votën e zgjedhjeve të vitit 2025?

Partia Socialiste dhe Edi Rama e kanë konsoliduar pushtetin prej 11 vitesh, teksa përçarja e Partisë Demokratike i ka ndihmuar edhe më shumë që në zgjedhjet e vitit të ardhshëm të pretendojnë dhe me shumë gjasë të marrin mandatin e katërt.

Adriatik Lapaj, një lider i ri por shumë aktiv, ka fituar simpatinë e qytetarëve për shkak të deklaratave të tij. Me interes pritet të shihet nëse mbështetja ndaj tij do të përkthehet edhe në votë, pasi zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë gara e parë politike për Lapajn.

Agron Shehaj ishte një nga deputetët më të votuar të Partisë Demokratike dhe pëlqyeshmëria e madhe ndaj tij nuk mund të jetë edhe surprizë. Shehaj ka filluar ka publikuar një lëvizje të re si një rrjet organizimi qytetar të quajtur #Next You, pjesë e të cilit deri më tani janë bërë më shumë se 2000 të rinj. Partia e re dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e vitit 2025 do të jetë një sfidë e fortë për Shehajn, por votat e marra në zgjedhjet e kaluara dhe rezultati i këtij sondazhi, tregojnë se mbështetja ndaj tij nuk do të jetë e vogël.

Partia Demokratike e Rithemelimit ka arritur të bashkohet edhe me “rebelët” e grupit të Gazment Bardhi, duke unifikuar opozitën bashkë me partitë e vogla. Por renditja e Berishës në vendin e katërt në këtë sondazh nuk është një rezultat i mirë për PD-në, që synimin e ka të marrë pushtetin. Kodi Zgjedhor pritet të jetë sërish në disavantazhin e tyre, pasi nuk lejon koalicionet, çfarë do t’i detyrojë sërish të gjitha partitë opozitare të futen në një listë të vetme.

Arlind Qori dhe Endri Shabani arritën që të kishin rezultate befasuese në zgjedhjet lokale, duke treguar se qytetarët shqiptarë po orientohen gjithmonë e më shumë drejt liderëve të rinj. Kodi Zgjedhor nuk është shumë dashamirës me partitë e vogla, por rezultatet e fundit mbi pëlqyeshmërinë ndaj tyre tregojnë se do të jenë në “luftë”për të marrë të paktën 1 mandat deputeti.

Partia Demokratike e vulës, e udhëhequr nga Lulzim Basha, po humbet gjithmonë e më shumë pikë. Rezultati negativ në zgjedhjet vendore, ku nuk morën asnjë bashki, ndërsa në Tiranë dolën në vendin e katërt, tregon se edhe në zgjedhjet e vitit 2025 do ta kenë shumë të vështirë.

Ilir Meta dhe Partia e Lirisë (ish-LSI) nuk janë më “Kingmakers”. Zgjedhja e Metës si President e dobësoi shumë partinë, që në zgjedhjet e fundit mori vetëm 4 deputetë, 1 prej të cilëve u largua dhe iu bashkua socialistëve. Rikthimi i Metës në krye të partisë dhe zgjedhja e strukturave të reja e kanë ringjallur sadopak Partinë e Lirisë, por rruga për të qenë sërish vendimtarë është shumë e gjatë/