Qëndresa Qytetare gjen rastin që në këtë ditë të rëndësishme të 7 marsit, t’ju kujtojë qytetarëve shqiptarë se askush nuk ka asnjë arsye për të festuar sot. Efektet e shpërbërjes dhe emigracionit kanë prekur ndjeshëm popullsinë e institucioneve arsimore. Në katër vitet e fundit, në bankat e shkollave mungojnë 56,000 nxënës dhe rreth 2,000 mësues.
Nuk ka asnjë arsye për të festuar në një vend si Shqipëria, ku sipas Testit PISA, 70% e fëmijëve të vendit tonë nuk marrin dot kuptimin e asaj që lexojnë dhe nuk identifikojnë dot distancën mes dy pikave. Sipas qeverisë, fajtorë për Testin PISA u shpallën mësuesit, të cilët po trajtohen me një program riedukimi apo trajnimi, duke anashkaluar përgjegjësitë e tyre për kurrikulat që ndryshojnë sa herë ndryshon ministria e radhës, për investimet dhe buxhetin më të ulët në rajon për arsimin.
Sot do të shihni që Ministrat dhe Kryeministri do t’u shfaqen me buqeta lulesh në shkolla dhe në fotografi. Por janë pikërisht të njëjtët njerëz që pagën e tyre e rrisin 75% me normë të indeksuar, ndërsa pagën e mësuesve ua rrisin vetëm me 0.3%. Janë po këta zyrtarë që futen në kurthin e bursës të rinjtë e vendit, duke thënë se kushdo që zgjedh degët e mësuesisë, do të përfitojë një pagesë mujore prej 400 $. Sot studentët e mësuesisë jo vetëm që nuk e përfituan të gjithë bursën për shkak të ndryshimit të VKM përjashtuese në vitin 2023, por edhe ata që e përfitojnë me ligj ende nuk e kanë marrë akoma. Të mos mbështetesh në kohë studentin me këtë pagesë pas premtimit publik është si të jepni ilaçe një të sëmurë pasi të ketë ndërruar jetë.
Qëndresa Qytetare i bën thirrje prindërve të nxënësve të mos lejojnë që fëmijët e tyre të bëhen dekor në fotografitë e politikanëve që janë përgjegjës për degradimin e arsimit në vend. Qëndresa Qytetare i bën thirrje mësuesve që të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe t’u thonë në sy të vërtetat atyre që marrin vendime për arsimin. Vendit tonë i duhet të ngrihet, standardet e qytetarëve duhet të përmirësohen dhe kjo nuk do të ndodhë për aq kohë sa vendi ynë nuk mirëarsimohet dhe mësuesi të fitojë dinjitetin e tij në shoqëri.”