Si Gjykata e Lartë shpërfilli precedentin “Lapsi.al”, legjitimoi SPAK-un për kontrollin ndaj gazetarëve në rastin e Elton Qynos

Niveli i lirisë së medias dhe siguria e gazetarëve në Shqipëri janë në rënie prej kohësh, por edhe më problematik është fakti se kjo liri dhe siguri nuk po mbrohet as nga institucionet e drejtësisë.

Pak kohë më parë, kur portali “Lapsi.al” publikoi ekzistencën e një databaze ku ishin vjedhur të dhënat e 900 mijë qytetarëve të Tiranës dhe këto përdoreshin nga patronazhistët e PS, Prokuroria e Posaçme mori në pyetje drejtuesit e portalit dhe urdhëroi sekuestrimin e kompjuterave dhe celularëve të të gjithë gazetarëve.

Pas zvarritjes në disa shkallë, përfundimisht Gjykata e Lartë hodhi poshtë vendimin e SPAK për sekuestrimin e kompjutervae dhe materialeve, pasi ishte në kundërshtim me Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, që thekson rëndësinë e ruajtjes së burimit të informacionit.

“…po ashtu, sipas GJEDNJ, në çështjen Roemen e Schmit v. Luxembourg, shkelje edhe më të rëndë përbëjnë kontrollet, edhe nëse nuk kanë rezultat, të cilat kanë për objekt zbulimin e identitetit të burimit të provës. Sipas Gjykatës së Strasburgut, mbrojtja e burimit të gazetarëve përbën një nga shtyllat e lirisë së shprehjes, pa të cilën këto burime mund të mos e ndihmojnë shtypin të informojë publikun për çështje të interesit të përgjithshëm. Për rrjedhojë, shtypi mund të mos jetë në gjendje të kryejë rolin e tij në ofrimin e informacioneve të sakta e të besueshme….”, thuhet ndër të tjera në në vendimin e rastit “Lapsi.al”.

Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni ishin 3 gjyqtarët që ndaluan SPAK të detyronte drejtuesit e “Lapsi.al” të tregonin burimin e informacionit, por janë sërish këta 3 gjyqtarë që për një tjetër çështje të ngjashme kanë dhënë vendim të ndryshëm.

Bëhet fjalë për rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit SPAK i sekuestroi kompjuter, celularë dhe materiale të tjera, për shkak se gazetari kishte publikuar disa përgjime mes të penduarve të drejtësisë dhe anëtarëve të bandave kriminale.

Gazetari Qyno iu drejtua Gjykatës së Lartë me një rekurs, për shkak se Apeli kishte marrë vendimin për të mbajtur të sekuestruara pajisjet e punës së tij. Por ky rekurs është rrëzuar nga këta 3 gjyqtarë, të cilët legjitimuan sekuestron e paprecedentë të sendeve të gazetarit.

Pra, gjyqtarët Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni, për dy çështje thuajse të njëjta, morën dy vendime të ndryshme. Kontrollet janë shkeljet më të rënda thonë tre gjyqtarët për rastin “Lapsi.al”, ndërsa për rastin e gazetarit Qyno, këto kontrolle të njëjtët gjyqtarë i legjitimuan me shpejtësi.

E çuditshme, por vendime të tilla të drejtësisë shqiptare jemi mësuar t’i shohim pothuajse përditë. Por më shumë se e çuditshme, është një goditje e rëndë ndaj medias së lirë dhe gazetarëve, të cilët tashmë do të jenë nën presion për të publikuar lajme ekskluzive për qytetarët, pasi nga pas do të ndiejnë gjithmonë e më shumë hijen e SPAK.