Akuza e fortë e Arben Ahmetaj: Rama më nxori në pritë, SPAK më “vrau”

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzon si njeriun që ka nxitur Prokurorinë e Posaçme për ta arrestuar sa më shpejt.

Ai thotë se e ka humbur besimin te drejtësia e re, pasi SPAK vendosi me padurim që të zbatonte urdhrin e Ramës për ta arrestuar, për t’i treguar kryeministrit se e vranë atë që ai nxori në pritë.

Arben Ahmetaj: Nuk më ka ndihmuar dhe as nuk më ka dhënë indicie askush. Përkundrazi, në momentin që është kërkuar imuniteti im, praktikisht të gjithë kolegët e mi, kanë qenë të frikësuar të ulen dhe të pinë kafe me mua, si në kohën e qoftëlargut. E dyta, që është po kaq e rëndësishme, as nuk më ka ndihmuar kush të largohem, sepse unë kam qenë i larguar në kohën kur është kërkuar imuniteti. Për të qenë i sinqertë e prisja që të bëhej një ekstremitet, e kisha parë të gjithë frymëzimin politik, diku nga vjeshta e vitit 2023. Mendoja që megjithatë atë shtyrje politike, atë urrejtje sistemike që tregonte instrumenti i drejtësisë SPAK, gati, gati personale që shpesh nuk e kuptoja, madje i bëja pyetje edhe vetes, si ka mundësi që të një drejtësi që kemi aspiruar me pasion të jetë një drejtësi e re, të bazohet në shkelje të të drejtave të njeriut, të bazohet në procedura të shkelura, të bazohet në nxjerrje në pritë politike nga ish-lideri im, kryeministri aktual, dhe do të vijmë aty, nuk do të kisha menduar se do të kishin atë padurim statistikor për ti treguar me zell, ish-liderit tim politik, se ja na e nxore në pritë, e vramë. Mendoja se do të ishte vjeshta dhe isha i përgatitur shpirtërisht. Z. Peka, kur unë kam lexuar dosjen, sigurisht indikacionet i kisha të pjesshme dhe mundohesha të bëja gjithë panoramën. Dosja është bazuar në supozime dhe jo në fakte. Unë gjatë intervistës me ju, jam gati ti marrë një e nga një të gjitha. Unë e humba besimin tek SPAK dhe kam frikë, e uroj të mos e humbas besimin tek gjithë drejtësia e supozuar e re. E tha mirë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani, që nuk është drejtësi e re, është një strukturë e re me të njëjtët njerëz. Unë jam larguar me familjen për pushime, refuzova të kthehesha në Shqipëri, kur u kërkua imuniteti im, sepse unë e dija se e gjithë goditja ime ishte e iniciuar me orientim politik.