STUDIMI/ Tirana ndër qytetet më të ndotura në Europë, grimcat vdekjeprurëse dhjetëra herë më të larta se niveli i OBSH-së

Një studim i fundit i ish-deputetit socialist Besnik Bare, e ka nxjerrë Tiranën një nga qytetet më të ndotur në Europë, me norma 20 herë mbi vlerën e rekomanduar nga OBSH.

Sipas matjeve të kryera, mjediset e lokaleve pranë rrugëve kryesore të Tiranës tregojnë prezencën e grimcave vdekjeprurëse në nivelet nga 33.6 në 92.6 mikrogram/m3, shumë herë më e lartë se vlera e rekomanduar nga OBSH, 5 mikrogram/m3.

Nivele edhe më kritike kanë parkimet e qendrave tregtare ku vlerat shkojnë deri në 352 mikrogram/m3. Shifra të tilla janë alarmante për faktin s ekëto grimca shkaktojnë sëmundje të rënda si hemoragjitë cerebrale, kanceri apo infarkt.

Por pse Tirana është një nga qytetet me ajrin më të ndotur në Europë?

Transporti i rënduar, shoqëruar edhe cilësinë e naftës dhe me flotën e vjetër të automjeteve që qarkullojnë në Tiranë është një nga arsyet e ndotjes së ajrit. Gjithashtu në ndotjen e ajrit në kryeqytet po ndikojnë ndërtimet e shumta dhe punët publike.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dhjetëra persona në Shqipëri humbin jetën çdo vit si pasojë e ndotjes së ajrit, pasi cilësia e ajrit nxit sëmundje ishemike të zemrës, duke i çuar qytetarët drejt vdekjes.

Më të rrezikuar janë të moshuarit, të sëmurët kronikë, të sapolindurit dhe gratë shtatzëna. Çfarë e bën më shqetësuese këtë rrezik, është se në Shqipëri, prej 3 vitesh Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk e monitoron cilësinë e ajrit.