Ndërsa zyra e OBSH për Europën ka lëshuar dje një paralajmërim urgjent për fruthin pas një rritjeje alarmante të rasteve, sëmundja ngjitëse është futur edhe në Shqipëri.
Deri tani mësohet se janë 11 raste të konfirmuara, në Tiranë dhe në Durrës, gjashtë prej të cilëve brenda një familje. Disa prej të prekurve janë fëmijë, të cilët janë të pavaksinuar për fruthin. Ata janë izoluar në pediatrinë e Tiranës.
Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën dje u bëri thirrje vendeve që të kryejnë urgjentisht fushata vaksinimi. Po ashtu, organizata beson se rishfaqja e fruthit është e lidhur me uljen e shkallës së vaksinimit. Virusi shkakton ethe, kollë dhe në raste të rralla pneumoni, inflamacion të trurit dhe vdekje.
OBSH kishte regjistruar më shumë se 30 mijë raste të fruthit në Evropë midis janarit dhe tetorit 2023 krahasuar me 941 raste në vitin 2022. Sipas OBSH-së, rastet janë shtuar muajt e fundit dhe pritet të vazhdojnë nëse nuk merren masa të menjëhershme.