Një grua, pronare e një dyqani në Iran është dënuar me dy vite burg pasi kishte publikuar një fotografi pa shami në kokë.
Lajmi u bë me dije nga rrjeti amerikan për të drejtat e njeriut HRANA.
Gruaja, Zeinab Khenyab Pour ishte dënuar edhe në fillim të dhjetorit me tre muaj burg, në një rast tjetër për “propagandë kundër shtetit”.
Zeinab, e cila vjen nga jugperëndimi i Iranit, kishte tërhequr vëmendje të madhe gjatë protestave gjithëkombëtare, kur autoritetet ia kishin mbyllur dyqanin.
Rikujtojmë se në Iran, u mbajtën protesta të mëdha pas vdekjes së Mahsa Aminit. Kjo e fundit vdiq në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, ku po mbahej pasi ishte arrestuar me pretendimin nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.
Protestat e humbën gjallërinë dalëngadalë nga fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë.