Partia Socialiste do të mbajë Kongresin e saj të shtyrë ditën e premte me 8 Dhjetor, ku pritet të ketë disa zhvillime interesante. Burimet pranë selisë rozë bëjnë me dije se Partia Socialiste do të organizojë një platformë debati dhe idesh më shumë se sa një Kongres partie me raportime dhe angazhime, ndërsa interesante mbeten personazhet që do të ngjiten në podium.
Krahas shumë të rinjve të angazhuar në qeverisje, në podiumin e Kongresit të Partisë Socialiste do të ngjiten për të folur edhe disa prej ish ministrave të kabinetit Rama, të cilët ndodhen nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për korrupsion.
Bie ne sy emri i ish-ministres së Jashtme dhe të Mbrotjes, Olta Xhaçka, e cila humbi karrigen e ministres vetëm dy muaj më parë. Ajo dhe bashkëshorti i saj janë duke u hetuar nga SPAK në lidhje me shpalljen e anëtarëve të familjes si investitorë strategjikë, për ndërtimin e një resorti me 5 yje në Gjilekë të Himarës, ku Prokuroria dyshon se prona ku ka nisur ndërtimi është tjetërsuar dhe vjedhur përmes falsifikimit të pronësisë. Zonja Xhaçka është duke u hetuar nga SPAK edhe në lidhje me privatizimet dhe tjetërsimet e dyshimta të pronave të Ushtrisë Shqiptare.
Në Kongresin e Partisë Socialiste pritet gjithashtu të flasë në podium edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, edhe pse Prokuroria e Posaçme është duke hetuar Inceneratorin e Tiranës të cilin e ka vendosur nën sekuestro.
Bis në sy një rikthim në kupolën e Partisë Socialiste. Ish-ministri i Brendshëm dhe deputeti Fatmir Xhafaj do u flasë socialistëve në Kongresin e PS. Ndonëse prej disa kohësh kritik me qeverisjen e manifestuar edhe me vota kundër dhe abstenuese në Parlament, duket që ka pasur një afrim të ri mes Ramës dhe Xhafajt. Dalja në podiumin e Kongresit, mesa duket, do t’i vendosë kapak të gjitha bisedave informale për një ftohje mes Ramës dhe ish drejtuesit me peshë socialist, Xhafaj.
Një tjetër ish ministre e shkarkuar pa bujë nga kryeministri Rama që do flasë në Kongres do të jetë Evis Kushi, ish-ministrja e Arsimit.
Burimet bëjnë me dije se në kongresin e datës 8 Dhjetor do të ketë një kombinim të gjerë folësish mes kontribuesve ndër vite në Partinë Socialiste dhe qeverisje si dhe të rinjve të cilët janë rishtarë në PS dhe në kabinetin qeverisës.