Mandati i Olta Xhaçkës në “sirtar”, kryetarja e “Kushtetueses” ia thotë në sy Lindita Nikollës: Zbatimi i vendimeve tona është e vetmja sjellje e duhur

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka mbajtur fjalën e saj në Kuvend në veprimtarinë “25 vite Kushtetutë”, ku ka folur për rolin e gjykatës që drejton, por edhe ka kërkuar nga Kuvendi të zbatojë vendimet e kësaj gjykate.

Zaçaj është shprehur se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është sjellja e duhur dhe e vetme për të respektuar Kushtetutën.

Të thëna në Kuvend, në praninë e të gjithë deputetëve të mazhorancës dhe ambasadorëve të huaj, fjalët e saj duket sikur bien direkt mbi Lindita Nikollën, e cila prej 10 muajsh mban në sirtar një vendim të Gjykatës Kushtetuese, atë për mandatin e ish-ministres Olta Xhaçka.

Pavarësisht kërkesave të shumta nga opozita për këtë çështje, Lindita Nikolla ka preferuar që vendimin e Kushtetueses të mos e zbatojë, duke e lënë në pritje një çështje shumë të rëndësishme, teksa fut në rendin e ditës çdo ligj që që kërkon qeveria.

Pjesë nga fjala e Holta Zaçaj:

Gjykata Kushtetuese së cilës i është ngarkuar përgjegjësia për të qenë rojtarja dhe interpretuesja e normës Kushtetuese, thirret të thotë fjalën e fundit sa herë nevojitet. Ky është një mision që gjyqtarët kushtetues e mbajnë me krenari të lartë.

Vendimet e Gjykatës përbëjnë ngjarje të një rëndësie të veçantë. Ato orientohen nga e vetmja busull, Kushtetuta. Për shkak të realitetit tonë politik, e kulturës institucionale, shqetësimet për cilësinë  e demokracisë, shtetin e së drejtës, diktojnë nevojën për të kthyer sytë nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata është e ndërgjegjshme edhe për koston që sjell kjo përgjegjësi. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve sipas Kushtetutës, mbart me vete edhe mundësinë e palëve të pakënaqura. Pavarësisht kësaj, të gjithë aktorët duhet të pranojnë vendimet e saj. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është sjellja e duhur, e nevojshme dhe e vetme për të zbatuar Kushtetutën.

Kritikat ndaj gjyqtarëve janë indikator i lirisë së shprehjes për të cilin kemi luftuar, por deri në atë masë sa nuk kthehet në sulm ndaj tyre. Pushteti gjyqësor mund të luajë rolin e tij kushtetues vetëm nëse është i pavarur. Politizimi i gjyqësorit dhe gjyqësorizimi i politikës, kanë qenë dhe janë fenomene që përbëjnë sfida të vazhdueshme.

Reforma në drejtësi e vitit 2016 synon shkëputjen e politikës nga ndikimi për të zgjedhur gjyqtarët. Gjykata Kushtetuese është përfshirë në çështjet me rëndësi të madhe.