Marrëveshja për emigrantët, Berisha: Më mori në telefon zv.kryeministri i Italisë, PD nuk organizon protesta për këtë çështje

Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një konference me gazetarët, ka treguar se është telefonuar nga zv.kryeministri italian Antonio Tajani, pas deklaratave të tij për marrëveshjen e emigrantëve mes Ramës dhe Melonit.

Berisha u shpreh se zv.kryeministri italian i kishte thënë se deklarata e tij për emigrantët ishte shumë e ashpër, teksa shtoi se e siguroi Tajanin se Partia Demokratike nuk do të organizojë protesta për këtë çështje, pasi nuk do që të nxisë ksenofobi.

“Më ka marrë në telefon zv/Kryeministri i Italisë Antonio Tajani. Dhe më thotë se, Sali thotë, e pamë atë deklaratën e PD e ne kemi këtë-atë problem, ishte e ashpër. Jo i thashë, ja shpjegova. Për këto arsye thashë unë jam kundër, por i thashë, nuk mund të ketë protesta, PD nuk mund të organizojë protesta që të nxisë ksenofobi, atë nuk e bën. Nuk mundet as të organizojë protesta kundër Italisë, por gjykoj se Italia i ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme Shqipërisë dhe ndihma italiane është shumë interesante. Krahas miliarda, por shumë më tepër janë ato që kanë mësuar shqiptarët, ka qenë një lloj universiteti. Por edhe në kuptimet e punës, financimit, shkollimit. Sot në universitetet italiane mund të ketë mbi 30 mijë shqiptarë. Në konceptim tim nuk protestohet kundër vendeve të lira. Nuk mund ta krahasoj unë kurrë një vend të lirë me Serbinë për shembull”, u shpreh Sali Berisha.

Ish-kryeministri ka dalë hapur kundër kësaj marrëveshje, që sipas tij po bëhet vetëm për interesin personal të Edi Ramës dhe jo për të ndihmuar emigrantët afrikanë. Sipas tij, kjo marrëveshje është anti-kushtetuese dhe e papranueshme.