Pasojat mbi ekonominë globale që do të sjellë Lufta e Gazës, ja 4 skenarët e mundshëm

Nga Nouriel Roubini “Project Syndicate”

Masakra barbare e Hamasit mbi të paktën 1400 izraelitë më 7 tetor, dhe fushata ushtarake

që pasoi e ushtrisë izraelitë në Gaza, për të shkatërruar njëherë e mirë këtë grupim ekstremist, paraqit 4 skenarë gjeopolitikë që kanë të bëjnë me ekonominë dhe tregjet globale.

Siç ndodh shpesh me ngjarje të tilla të tilla, optimizmi mund të jetë qasja e gabuar. Në skenarin e parë, lufta mbetet kryesisht e kufizuar në Gaza, pa një përshkallëzim në nivel rajonal. Në fakt, përveç përleshjeve në një shkallë të vogël me milicitë e mbështetura nga Irani në vendet fqinje me Izraelin; shumica e lojtarëve preferojnë të shmangin një përshkallëzim rajonal.

Fushata e Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në Gaza, po e dëmton ndjeshëm Hamasin, duke lënë pas një numër të madh viktimash në radhët e civilëve, dhe rrezikuar një status quo gjeopolitike tashmë të paqëndrueshme.

Pasi e ka humbur të gjithë mbështetjen, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu largohet nga detyra, por publiku izraelit mbetet në përgjithësi kundër pranimit të një zgjidhjeje të konfliktit nëpërmjet krijimit të 2 shteteve të veçanta.

Prandaj, çështja palestineze nxehet sërish; pezullohet procesi i normalizimit të marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite; Irani mbetet një forcë destabilizuese në rajon; në një kohë që Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shqetësohen për shpërthimin e valës së radhës të dhunës.

Në këto kushte, janë të lehta për t’u parashikuar pasojat ekonomike mbi tregjet globale. Rritja aktuale modeste e çmimeve të naftës nuk do të vijonte më tej, sepse nuk do të ketë asnjë ndryshim në prodhimin dhe eksportet rajonale nga Gjiri. Megjithëse SHBA-ja mund të përpiqet të ndalë eksportet iraniane të naftës, për ta ndëshkuar atë për rolin e tij destabilizues në rajon, s’ka gjasa që ta bërë këtë në shkallë të gjerë.

Ekonomia e Iranit do të vazhdojë të hasë shumë vështirësi për shkak të sanksioneve ekzistuese, duke e thelluar më tej varësinë e saj nga lidhjet e ngushta me Kinën dhe Rusinë.

Ndërkohë, Izraeli do të pësonte një recesion ekonomik serioz por gjithsesi të menaxhueshëm. Edhe Evropa do të përjetonte disa efekte negative, teksa çmimet relativisht të larta të naftës dhe pasiguritë e nxitura nga lufta, do të zbehin besimin e bizneseve dhe të familjeve. Duke reduktuar prodhimin, shpenzimet dhe normën e punësimit, ky skenar mund t’i rikthejë ekonomitë evropiane aktualisht në stanjacion në një fazë recesioni të lehtë.

Në skenarin e dytë, Lufta në Gaza pasohet nga normalizimi i raporteve në rajon dhe paqja. Fushata ushtarake izraelite kundër Hamasit rezulton e suksesshme, pa shkaktuar akoma më shumë viktima në civilë, dhe forca më të moderuara – si Autoriteti Palestinez apo një koalicion shumëkombësh arab – marrin përsipër administrimin e enklavës.

Netanjahu jep dorëheqjen (duke e humbur mbështetjen e gati të gjithëve), dhe një qeveri

e re e moderuar e qendrës së djathtë apo e qendrës së majtë, fokusohet në zgjidhjen e çështjes palestineze dhe në vazhdimin e normalizimit të marrëdhënieve me Arabinë Saudite.

Në dallim nga Netanjahu, qeveria e re izraelite nuk do të angazhohej hapur për ndryshimin e regjimit në Iran. Por ajo mund të sigurojë pranimin e heshtur të normalizimit izraelito-saudit nga ana e Republikës Islamike, në këmbim të bisedimeve të reja mbi një marrëveshjeje mbi programin bërthamor iranian, që do të përfshinte lehtësimin e sanksioneve.

Kjo e fundit, do ta lejonte Teheranin të fokusohej tek reformat e brendshme ekonomike që janë shumë të nevojshme. Natyrisht, ky skenar do të kishte pasoja ekonomike shumë pozitive, si në rajon ashtu edhe në nivel global.

Në skenarin e tretë, situata përshkallëzohet në një konflikt rajonal që përfshin edhe Hezbollahun në Liban dhe ndoshta edhe Iranin. Kjo mund të ndodhë në disa mënyra. Nga

frika e pasojave të eliminimit të Hamasit, Irani mund të përdorë edhe Hezbollahun kundër Izraelit për ta detyruar atë të ndërpresë operacionin në Gaza.

Ose Izraeli mund të vendosë të përballet me këtë rrezik, duke nisur një sulm më të madh parandalues ​​kundër  Hezbollahut. Pastaj, janë të gjitha milicitë e tjera të përkrahura nga

Irani në Siri, Irak dhe Jemen. Secila prej tyre synon të provokojë forcat e Izraelit dhe

të SHBA-së në rajon, si pjesë e agjendës destabilizuese që ndjek Irani.

Nëse Izraeli dhe Hezbollahu do të zhyten në një luftë në shkallë të plotë midis tyre, Izraeli mund të nisë ndoshta sulme kundër objekteve bërthamore iraniane dhe objekteve të tjera ushtarake, me shumë gjasa edhe me mbështetjen logjistike të SHBA-së.

Tek e fundit, Irani, që ka harxhuar shumë para për armatimit dhe stërvitjen e trupave të Hamasit dhe Hezbollahut, ka të ngjarë t’i përdorë trazirat rajonale për të hedhur hapin përfundimtar:ndërtimin vetë të armëve bërthamore. Nëse Izraeli – dhe ndoshta SHBA –

do ta bombardojnë Iranin, do të frenohen ndoshta për muaj të tërë prodhimi dhe eksportet e energjisë nga Gjiri.

Kjo do të shkaktonte një krizë të rëndë të çmimeve të naftës, të ngjashme me atë të viteve 1970, e pasuar nga një stagflacioni global (rritje e inflacionit, e kombinuar me një  rritje ekonomike më të ulët), rënie në tregjet e aksioneve, paqëndrueshmëri në normat e interesit

të obligacioneve, dhe një nxitim drejt blerjes së aseteve të sigurta siç janë ato në ar.

Pasojat ekonomike do të ishin më të rënda në Kinë dhe Evropë sesa në SHBA, e cila është tashmë një eksportuese neto e energjisë, dhe mund të taksojë fitimet e papritura të prodhuesve vendas për të paguar subvencionet që synojnë të kufizojnë ndikimin negativ

tek konsumatorët (familjarë dhe kompanitë jo energjetike).

Së fundi, në këtë skenar, regjimi iranian mbetet në pushtet, sepse shumë iranianë – madje edhe kundërshtarë të regjimit – grupohen pas tij përballë një sulmi të përbashkët ushtarak të Izraelit dhe SHBA-së. Të gjitha palët në rajon, bëhen më të radikalizuara dhe konfrontuese, duke e bërë të duket një ëndërr e çuditshme paqe apo normalizimin e raporteve diplomatike. Ky skenar mund të dëmtojë rëndë edhe bilancin e presidencës së Xho Bajden, si dhe shanset e tij për t’u rizgjedhur në detyrë vitin e ardhshëm.

Në skenarin e katërt, konflikti aktual zgjerohet në mbarë rajonin, por ka një ndryshim të regjimit në Iran. Në rast se Izraeli dhe SHBA-ja sulmojnë një ditë Iranin, ato do të synojnë

jo vetëm objektet bërthamore, por edhe infrastrukturën ushtarake dhe atë me përdorim të dyfishtë, por edhe udhëheqësit e regjimit.

Në vend se të mbështesin regjimin, iranianët e thjeshtë – që prej më shumë se 1 viti po protestojnë kundër abuzimeve morale dhe policore – mund të rreshtohen në krah të liderëve

më të moderuar si ish-presidenti iranian Hasan Ruhani. Përmbysja e Republikës Islamike do t’i jepte mundësi Iranit të ribashkohej me komunitetin ndërkombëtar.

Sigurisht, do të kishim ende një recesion të rëndë stagflacionist në nivel global, por do të krijohej terreni për një stabilitet më të madh, si dhe për një rritje më të madhe ekonomike në Lindjen e Mesme. Po sa i mundshëm është secili nga skenarët e lartpërmendur?

Unë them se ka një probabilitet prej 50 për qind për ruajtjen e status quo-së aktuale; 15 për qind për arritjen e paqes, stabilitetit dhe progresit pas luftës; 30 për qind për një luftë rajonale, dhe vetëm 5 për qind për një konflikt rajonal me një fund të lumtur.

Pra lajmi i mirë, është se ekziston një shans relativisht i lartë – 65 për qind – që konflikti të mos përshkallëzohet në mbarë rajonin, duke nënkuptuar se pasojat ekonomike do të ishin të lehta ose të kufizuara. Megjithatë, lajmi i keq është se tregjet aktualisht po caktojnë vetëm

një probabilitet prej 5 për qind për një konflikt rajonal, i cili do të kishte efekte të rënda stagflacioniste në mbarë botën, kur shifra më e arsyeshme është 35 për qind.

Një vetëkënaqësi e tillë është e rrezikshme, sidomos duke pasur parasysh që probabiliteti i kombinuar i një skenari përçarës në nivel global (nr 1, 3 dhe 4) është ende 85 për qind. Skenari më i mundshëm, mund të ketë vetëm pasoja të lehta afatshkurtra për tregjet dhe ekonominë globale.

Por ai nënkupton mbetjen në fuqi të një status quo-je të paqëndrueshme, duke çuar përfundimisht në shpërthimin e konflikteve të reja. Tani për tani, çmimet në tregje janë

gati ideale dhe favorizojnë skenarët më të butë. Por shpeshherë tregjet i kanë vlerësuar gabimisht tronditjet e mëdha gjeopolitike. Ndaj nuk duhet të çuditemi nëse përsëritet diçka

e tillë.

Shënim:Nouriel Roubini, profesor i ekonomisë në Universitetin e Nju Jorkut, SHBA. Më herët ka qenë ekspert për çështjet ndërkombëtare në Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë

të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Bill Klinton, si dhe ka punuar për Fondin Monetar Ndërkombëtar, Rezervën Federale të SHBA-së dhe Bankën Botërore.