Meta në SPAK për çështjen CEZ DIA, Berisha: Në mbledhjet tona nuk kemi folur për këtë, është sulm politik nga Rama

Ish kryeministri Sali Berisha në një komunikim me gazetarët është pyetur për çështjen e Cez DIA-s për të cilën Ilir Meta u mor sot në pyetje nga SPAK.

Në 2015 Berisha kishte deklaruar në parlament se Ilir Meta nuk ka patur asnjë tagër për të negociuar me CEZ DIA dhe ka kërkuar hetim për Metën për këtë çështje, po ashtu Ilir Meta i është përgjigjur në atë kohë në të njëjtën mënyrë.

Por sot Berisha u shpreh se nuk ka patur asnjë dijeni për këtë çështje sepse ajo ka qenë veprimtari midis CEZ që ishte kompani çeke dhe operatorëve privat.

Ai tha se mbrapa SPAK qëndron Edi Rama, i cili mban takime të fshehta me Dumanin. “Me Metën nuk kemi folur asnjë çështje hetimi por vetëm për aksione opozitare”

“Ke dyshim ti se nuk është Rama, gjahu politik i opozitës? Kush është ai që kontrollon SPAK-in? A jam unë që kam denoncuar lëvizjet e Dumanit apo lidhjet monstruoze të spakistëve. Si mund të dyshohet se nuk është Rama pas kësaj. Në mbledhjet tona është folur vetëm për aksionin opozitar. Nuk kemi dyshim që këto janë procese të turpshme politike. Arben Kraja la detyrën për shkak të ligjit të lustracionit. Në kodin më minimal moral nuk mund të merrte në shqyrtim një çështje të Berishës. Ai e la detyrën se unë kam bërë ligjin për ish-xhelatët e sigurimit të shtetit të dalin nga sistemi.”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama se opozita i doli jashtë kontrolli, opozita u bashkua dhe ky bashkim lindi shpresën, prandaj dhe Rama po përpiqet ta shtypë.