Jamarbër Malltezi, i arrestuar 2 ditë më parë si i akuzuar për privatizimin e kompleksit Partizani, ka hedhur poshtë akzuat e ngritura nga SPAK për korrupsion.
Avokatët e tij kanë deklaruar se Malltezi është shprehur se ky është një sulm politik ndaj tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Ndërkohë, as ndërtuesi Fatmir Bektashi nuk i ka pranuar akuzat.
Sipas dosjes së SPAK, Jamarbër Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro në mënyrë të paligjshme dhe akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe Pastrim i Produkteve në bashkëpunim me Fatmir Bektashin.
Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim sipas nenit 260 dhe 25 i Kodit Penal, por për të nuk mund të jepet masa e sigurisë “arrest me burg” për shkak se është mbi 70 vjeç. Përsa i përket ndërtuesit Fatmir Bektashi, ai akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim i produkteve të veprës penale në bashkëpunim me Malltezin.
Gjykata e Posaçme në datën 20 Tetor 2023, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 gjashtëmbëdhjetë pasuri të paluajtshme në pronësi të Jamarbër Malltezit, 6 llogari bankare në euro, dollarë dhe lek si dhe kuotat e kapitalit themeltar në pronësi të Malltezit në shoqëritë “Homeplan” shpk 45 për qind, “Magnet IMO” 100 për qind dhe “Magnet Gym&Fit 60 për qind.