Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe rektori i Universiteti i Tiranës kanë cilësuar sot si të pavërtetë lajmin se ky Universitet është ulur me 200 vende nga renditja e një viti më parë.
Rektori Hoxha madje deklaroi se ky rankim nuk tregon që Universiteti i Tiranës është ulur me 200 vende, pasi kjo është hera e parë që ai futet në këtë renditje.
Rektori i UT tha se rezultatet do të dalin në 2024.
Por, në një dokument të hartuar nga vetë Ministria e Arsimit, cilësohet se Universiteti i Tiranës ka hyrë në listën e QS-World University Rankings që nga viti 2020 dhe në atë kohë figuronte në vendin 301-350. Universitetet tona renditeshin në 2022 midis 350-400.
Një vit më vonë renditja nga i njëjti portal rankues universitetesh është në vendin e 677 nga 688. Megjithatë drejtuesi i arsimit universitar e mohoi këtë lajm,
“Së pari nuk ka rritje të tarifave në Universitetin e Tiranës, madje ka ulje dhe këto janë të verifikueshme. Nuk është e vërtetë që Universiteti i Tiranës ka rënë 200 vende. Kjo sepse universitetet e Shqipërisë futen për herë të parë në këtë rankim. Kur futesh për herë të parë nuk ka as më lartë dhe as më poshtë. Unë jam personi më kritik brenda Universitetit të Tiranës dhe brenda arsimit të lartë në tërësi sepse jam përveç rektor, jam edhe kryetar i konferencës së rektorëve. Prej 4-5 vitesh, ne rankohemi në nivel botëror dhe në nivel europian, ndërkohë më parë ne nuk futeshim fare”, tha rektori Hoxha, ndërsa ministrja Manastirliu konfirmoi duke tundur kokën.