Nën akuzë për 5 vepra penale, më 11 dhjetor seanca e parë paraprake ndaj Ballukut në GJKKO

Më 11 dhjetor do të mbahet në GJKKO seanca paraprake ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK për disa vepra penale.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim.

Ish-numri dy i qeverisë akuzohet për disa vepra penale: “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, në bashkëpunim, në nëntë raste”; “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”; “Mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë, në dy raste”; “Pastrim të produkteve të veprës penale, në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”.

Në listën e të pandehurve janë edhe ish-drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar, përfshirë Evis Berberin, Ergys Verdhon dhe Gentian Gjylin, si dhe ish-zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ARRSH-së.